Vllaznia do udhëtojë sot drejt Laçit për tu ndeshur me vendasit në kuadër të javës së 26-të të Superiores. Një duel që në sezonet e fundit është cilësuar si derbi i veriut, me laçianët që kanë qenë një faktor në Superiore. E sot kurbinasit ndoshta ndodhen në gjendjen më të dobët që prej ngjitjes në elitë, ku po luftojnë për mbijetesën.

E trajneri Mezani ndoshta ka shansin e fundit sot ndaj shkodranëve për të shpëtuar pankinën e tij. Duket se vlonjati ka hartuar edhe planin për të ndalur ekipin e Joses, me formacionin që pritet të hedhë në fushë. Kështu në portë pritet i rikthyeri, Gentian Selmani që ka qenë titullar që pas ardhjes në janar. Në mbrojtje emra si: Roganovic dhe Turkaj nga krahët duken të paprekshëm.

E ndërsa repartin e prapavijës pritet ta përbëjnë edhe Duka e Marku, dy lojtarë me pak eksperiencë në Superiore. Në mesfushë Babatunde dhe Ujka që janë titullarët e zakonshëm pritet të kompletohen edhe nga Spahiu. Në sulm i sigurtë duket aktivizimi i Shkurtajt, që duket se fiton balotazhin me Guindon.

Vlonjati po ashtu do ketë mbështetjen edhe të Mazrekajt dhe Manellarit nga krahët. Ky pritet të jetë edhe formacioni startues i Laçit sot kundër Vllaznisë. Me duelin që do startojë në orën 13:00 dhe që pritet me të vërtetë të sjellë emocione për të gjithë.
Endri ÇINARI