Bylisi doli nga transferta e Tiranës me barazimin 2-2. Një pikë e artë për ballshiotët, që qëndrojnë jashtë zonës së ftohtë. Pas ndeshjes, trajneri Gentian Mezani deklaroi:
“Mendoj që duhet të jemi të kënaqur si interpretuam lojën se hera e parë me 4-2-3-1 qëkur kam ardhur unë. Nuk e dija si skuadra do të reagonte. Duhen marrë gjërat pozitive, duhen parë gabimet për t’i përmirësuar akoma më shumë. Janë 5 finale për ne, nuk ka mbaruar asgjë dhe duhet të shikojmë përpara.
Jam tip që qëndroj me këmbë në tokë se e di që nuk kemi bërë akoma asgjë. Sistemi i Tiranës dhe lojtarët tonë në bazë të mungesave që kishim. Malomo jashtë për kartona, Kamara që ishte jashtë për kombëtaren.
Ofori jashtë për numrin e lojtarëve të huaj. Më duhet të lija njërin jashtë dhe mendoja të sakrifikoja Oforin. Si Abazaj dhe Përgjoni, deri diku i kanë zbatur me përpikmëri detyrat. Arritën të orientohen në këtë sistem.
Peralta dhe Ualison ishin mënyra e lojës që po kërkoja, me kundërsulme të shpejta. Nuk kemi lojtarë të tjerë linje. Po të shikoni, Osmani ka luajtur mbrojtës i djathtë, mendoj ka bërë shumë mirë. Një sërë arsyesh përse ndërruam sistemin.
Ne i dimë vështirësitë që kemi në këto ndeshje. Çdo ndeshje shumë e vështirë, ky është kampionati shqiptar, emocional dhe i fortë. Nuk është çudi që sot kemi gjetur Tiranë të fortë, kemi marrë pikë të vlefshme. I dimë vështirësitë. Janë ekipe si Egnatia, Elbasani, Vllaznia, skuadra që kanë investuar për ekip tjetër nga ai që kemi ne. Do sakrifikojmë deri në fund për të arritur objektivin që kemi.
Përndreca ka bërë ndeshje të mirë, me gabime të vogla, është lojtar i ri pa shumë eksperiencë në Superiore. Në këto raste është mirë t’i mbajmë me këmbë në tokë këto të rinj. Nuk kalon kollaj në eufori, është lojtar me kualitet. Mund ta ndihmojë Bylisin. E ka zëvendësuar Peraltën dhe mund të mendoj edhe për pjesën sipër për Peraltën”, u shpreh Mezani për RTSH.