Ka përfunduar ndeshja mes Partizanit dhe Bylisit e vlefshme për javën e 26-të të Superiores. Sfida e zhvilluar në stadiumin “Arena e Demave”, përfundoi 2-3 në favor të miqve të cilët përmbysën në fund. Pas kësaj sfide ka folur trajneri fitues, Gentian Mezani.

“Realisht kemi ardhur me besimin për të marrë pikë këtu në Tiranë në fushën e Partizanit, por pa e humbur besimin edhe për ta fituar ndeshjen në nisje. Kur rezultati shkoi 2-0 për Partizanin mendova se humbëm. Unë i kërkova skuadrës që të dalim para dhe të rrezikojmë gjatë gjithë kohës. E vura re që Partizani binte pre e presionit.

Një arsye pse unë kërkova që ekipi të sulmonte. Kur ekipi shkoi në barazim, pashë që Partizani nuk kishte forcë për të na goditur. Ju kërkova djemve të sulmonin dhe falë zëvendësimeve, fituam. Ishte një ndeshje e mirë, por të qëndrojmë me këmbë në tokë pasi është vetëm një 3 pikësh. Problemi më i madh i çunave është t’i mbajmë më këmbë në tokë.

Unë dua gjithë kohës që të sulmoj dhe ta fitoj ndeshjen. Unë mora shkas edhe nga ndeshja e kaluar e Partizanit me Egnatian dhe e jona me Elbasanin, ku skuadra jonë reagoi mjaft mirë dhe kishte forca për të sulmuar. Pashë Partizanin që ishte në vështirësi përballë Egnatias. Nëse do të prisnim, do ta pësonim. Ishin dy gabime, një moskoordinim i mirë dhe një gabim i qendërmbrojtësit që mund të ishte shumë e thjeshtë për ta larguar. Ne i falëm dy gola, por Partizani kishte merita. Në këto momente kemi nevojë për pikë dhe na duhet të kërkojmë maksimumin.

Ne jemi munduar gjatë kësaj periudhe të heqim gabimet, s’mund të them që kam bërë mrekullira. Kjo është një skuadër e mirë, falenderoj Nevil Deden pasi ka bërë një punë mjaft të mirë dhe skuadra është këtu edhe falë tij, kjo është një arsye. Do t’i përmirësojmë gabimet avash-avash”, është shprehur Gentian Mezani.