MFC Panthers po bën një paraqitje të shkëlqyer në kampionatin 9X9 të “Sunday League”. Pas startit pozitiv në javën e parë duke fituar 3-0, ekipi i Panthers rregjistroi edhe fitoren e dytë rradhazi në javën e dytë të kampionatit.
Këtë rradhë përballë shkodranëve të Panthers ka qenë ekipi i Futura Dent, teksa ka qenë një ndeshje e dominuar tërësisht nga skuadra shkodrane, të cilët kanë fituar me rezultatin e thellë, 0-4. Për ekipin, i cili drejtohet nga trajneri Fatmir Axhani, dy golat e parë u shënuan nga Bashi me një dopietë, ndërsa dy golat e tjerë mbajnë firmën e Mehjës dhe Gjoklajt.
Në këtë mënyrë, pas dy ndeshjesh, me një golavarazh pozitiv, me shtatë gola të shënuar dhe asnjë të pësuar, MFC Panthers kryeson kampionatin me pikë të plota në javën e dytë të tij. Ndeshjen e ardhshme, në kuadër të javës së tretë të kampionatit, ekipi shkodran do ta luajë përballë skuadrës kryeqytetase, Albamer.
MFC Panthers Shkodra është një nga skuadrat e kampionatit 9X9 të “Sunday League” që ka si objektiv trofeun dhe duket se pak nga pak, po bën hapat e saj drejt konkretizimit të këtij synimi, teksa në dy javë kampionat ka siguruar dy fitore bindëse. /Maringlen ZHIVANI/
Formacioni i Panthers: Behari, Gjoklaj, Smajli, Gokaj, Mehja, Drabeja, Mesi, Nimani, Mila (u aktivizuan: Nutaj, Axhani, Berhani, Osmani, Osmanga, Bashi) Tr: Fatmir Axhani