Nuk janë vetëm trajnerët shqiptarë ata që shkarkohen shpesh pa filluar mirë punën në klubet e tyre. I ka ndodhur edhe serbit Sinisha Mihajloviç, i cili ka zgjatur vetëm 8 ditë në pankinën e Sportingut të Lisbonës, pa zhvilluar asnjë stërvitje dhe pa bërë asnjë ndeshje me skuadrën e tij të re.
Mund të jetë një rekord për këto nivele, por gjithçka konfirmon kaosin që po kalon klubi legjendar portugez. Vetëm 8 ditë më parë klubi kishte prezantuar Mihajloviç si trajnerin e ri, për të nisur me të gjithçka nga e para pas revoltës së tifozëve që sulmuan lojtarët dhe sollën eksodin masiv të tyre.
Problemi është se ditët e fundit është shkarkuar edhe presidenti i klubit, Bruno De Karvajo, ai që kishte zgjedhur Mihajlovic për trajner.
Drejtuesit e rinj, nuk e duan serbin në ekip dhe kanë gjetur një pikë në kontratë nëpërmjet së cilës mund ta largojnë.
Në kontratë është vendosur klauzola e “15 ditëve të provës” dhe nëpërmjet saj, po i japin duart trajnerit serb.
Ky i fundit, i acaruar për këtë situatë, ka kërkuar dëmshpërblim prej 2 milionë eurosh për shkarkimin pas 8 ditësh punë, të argumentuar me një dëm të rëndë që i kanë bërë imazhit të tij. /vipsport/