Legjenda e Real Madridit, Predrag Mijatovic, ka parashikuar largime të mëdha verën e ardhshme, pas dy verave pa sjellë burime të mëdha në arkat e klubit nga shitjet.Në këtë merkato, Endrick Felipe u mor për 40-60 milionë euro, dhe Kylian Mbappe me kosto zero, por me kosto të konsiderueshme për sa i përket pagës.

Është folur për largimin e mundshëm të Rodrygo Goes nga klubi, por braziliani ka zgjedhur të qëndrojë, pavarësisht ardhjeve të Endrick dhe Mbappe. Mijatovic, i cili në një kohë ishte edhe drejtor sportiv nën drejtimin e Florentino Perez, ka shpjeguar se prania e shumë yjeve mund të çojë në një shitje.

“Duke ditur pak se si Real Madridi menaxhon gjithçka që ka bërë këto vite, me shitje shumë të mira, nuk e përjashtoj të shoh diçka të tillë (shitje të mëdha)”, tha Mijatovic për Cadena SER.

“Nuk po them se do të ndodhë patjetër. Kjo varet edhe nga vetë futbollisti. Nëse një lojtar nuk ndihet rehat, nuk është i lumtur dhe kërkon të largohet në njëfarë mënyre, Madridi nuk ka asgjë kundër.

“Vitin e ardhshëm do të ketë shitje të mëdha me siguri, disa, ose të paktën ka shumë të ngjarë që do të ketë”.

Sigurisht që vija e sulmit, e përcaktuar nga Vinicius Junior dhe Kylian Mbappe, ka konkurrencë të bollshme për vende. Arda Guler, Brahim Diaz, Rodrygo dhe Endrick janë të gjithë në garë për të njëjtat minuta, pa përmendur Jude Bellingham.

Anglezi mund të zhvendoset në mesfushë, por nëse ndodh kështu, njëri mes Eduardo Camavinga dhe Aurelien Tchouameni mund të zhgënjehet nga mungesa e një roli si titullar, veçanërisht i pari.

Ndërkohë fjalët e Mijatovic vijnë pasi Vinicius thuhet se u bë i vetëdijshëm për një ofertë që do ta shihte atë të fitonte mbi 1 miliard euro nga Arabia Saudite.

Duket e pamundur që ai të largohet, por Real Madridi do të detyrohet të negociojë një kontratë të re me të verën e ardhshme dhe oferta saudite ka të ngjarë të jetë ende në tavolinë./telesport/