Juventusi dhe Milani do të përballen me njëri-tjetrin pas disa ditësh në Arabinë Saudite për Superkupën italiane, por ndërkohë dy klubet mund të diskutojnë për merkaton.

Pas shumë marrëveshjeve të fundit (më e fundit ajo që çoi Pierre Kalulu te Thiago Motta), bardhezinjtë synojnë të mbyllin operacionin për Fikayo Tomori, por e dinë se Milani nuk do të bëjë asnjë ulje në çmim: kuqezinjtë kërkojnë rreth 25 milionë euro për të shitur mbrojtësin anglez, ndërsa Juventusi mund të provojë ta marrë futbollistin në huazim me pagesë dhe me detyrim për ta blerë.

Sipas asaj që ka zbuluar “Gazzetta dello Sport”, Milani është duke shqyrtuar emrin e Danilos, i cili është në largim nga Juventusi, pavarësisht se ka rikuperuar pozicionin e titullarit gjatë javëve të fundit.

Braziliani ka një vlerësim të lartë nga Fonseca dhe mund të jetë një mundësi, duke pasur parasysh skadimin e kontratës në qershor 2025 me Juventus, i cili mund ta ofrojë si një kundërshpërblim të pjesshëm për të arritur te anglezi.