Skuadrat fituese nuk ndërtohen duke filluar nga sulmi, por nga mbrojtja. Këtë e ka bërë Juventus që me “BBC” ka fituar gjashtë tituj radhazi në kampionat.
Këtë duket se e ka kuptuar dhe Milan, me kuqezinjtë që kanë filluar ta shijojnë gjashtë muaj më pas investimin e bërë për Leonardo Bonuçi-n, i cili po ndihmon shumë edhe Alessio Romagnoli-n.
Rendimenti i këtij të fundit nën drejtimin e trajneri Gattuso është shumë i mirë, aq sa ai konsiderohet si një nga shtyllat e ardhshme të Italisë, por që mund të jetë edhe një nga më të kërkuarit e merkaton së verës.
Sytë e Real Madrid janë drejtuar nga ai, por rreziku më i madh për MIlan vjen nga Juventus.
Në fakt, nuk kanë kaluar pa u vënë re elozhet e vazhdueshme të trajnerit Allegri, teksa bardhezinjtë vazhdojnë ta ndjekin lojtarin dhe verën e ardhshme mund të bëjnë një ofertë të rëndësishme (35/40 milionë euro) për t’ia marrë 22-vjeçarin “Djallit”.
Gjithsesi, kuqezinjtë kanë dhënë një mesazh të qartë kur kanë refuzuar 50 milionë eurot e refuzuara nga Chelsea verën e kaluar. Një mesazh që klubi është gati ta përsërisë në muajt e ardhshëm.
Fassone dhe Mirabelli, në fakt, kanë një plan për ta blinduar qendërmbrojtësin dhe të mbrohen nga sulmi juventin.
Po studiohet një rinovim i kontratës (aktualja skadon në 2020-ën) me një rritje të ndjeshme të rrogës, që për momentin është 2 milionë euro.
Romangoli është një nga më të mirët e Milan në fushë dhe shumë shpejt do të shpërblehet edhe jashtë saj me një kontratë të re. Juventus është paralajmëruar. /telesport/