Milan ka barazuar me ekipin e fundit të renditjes së Serie A në sekondat e fundit të ndeshjes, me një gol të shënuar nga personi i fundit që mund t’ju shkojë në mend, portieri kundërshtar. Nuk kishte si të shkonte më keq debutimi i Gattuso-s në stolin e Milan, që nuk shfaqi asnjë ndryshim, si taktik apo edhe mendor ndaj skuadrës që nuk kishte marrë asnjë pikë në 14 ndeshjet e para të Serie A.

Patjetër që ishte Milan që mori iniciativën për të gjetur golin e avantazhit dhe ia arriti qëllimit në fund të pjesës së parë me anë të Bonaventura, i cili shënon një gol me kokë, i rrallë duke parë gjatësinë e lojtarit. Por pas pushimit Benevento u fut në fushë me mendësinë se nuk ka asgjë për të humbur dhe arriti të barazonte rezultatin me Puscas, për ironi të fatit një lojtari i Inter-it. Por Milan reagon menjëherë me Kalinic në minutën e 57’ duke rimarrë avantazhit. Por gjithçka u vështirësua në minutat e fundit të ndeshjes kur Romagnoli mori kartonin e dytë të verdhë (për të qenë të sinqertë asnjë nga kartonët nuk duhej dhënë). Benevento doli përpara duke rrezikuar disa herë me disa gjysmë-raste për të shënuar, dhe në minutën e fundit të kohësh shtesë ndodhi mrekullia, Benevento ka gjetur golin e barazimit me goditjen me kokë të portierit! Po po, e lexuat mirë, portieri i Beneventos kishte dalë në sulm për aksionin e fundit të skuadrës së tij dhe ka arritur të godasë topin me kokë sikur të ishte një qendërsulmues i nivelit botëror dhe i ka dhënë barazimin ekipit të tij.