Merkatoja në Serinë A mbyllet sot dhe duket se për Milanin tashmë është mbyllur gjithçka. Një verë plot lëvizje, duke nisur nga tërmeti në drejtim, në klubin që kaloi nga pronari kinez tek ai amerikan, e duke vijuar me emërimin e Leonardos dhe më pas Maldinit në poste kyçe në drejtim.

Trajneri Xhenaro Gatuzo ishte i vetmi që nuk u prek dhe dëshirat e tij u plotësuan thuajse të gjitha. Duhej një kërcim cilësor dhe spastrim, Leonardo bëri gjithçka mirë, me 12 largime e afrime deri tani.

Nuk ka mbaruar ndoshta, sepse Leonardo po mundohet të largojë edhe mesfushorët Montolivo e Bertolaçi, të dy të panevojshëm dhe një barrë financiare për klubin.

Gonzalo Higuain është sulmuesi i duhur për të qenë të qetë përpara, aty ku dështuan Andre Silva e Kaliniç, të dy të larguar këtë verë, ashtu si Karlos Baka.

Krahët e sulmit kanë kompletuar dhe stoli është shumë cilësor, ndërsa në qendër pritet me kuriozitet Bakajoko.

Në mbrojtje Kaldara është investim madhor për të tashmen dhe të ardhmen, ndërsa largimi i Bonuçit ishte lëvizja e duhur, duke parë edhe dëshirën e lojtarit për t’u larguar.

Një pikëpyetje? Në mesin e fushës duket sikur mungon cilësia, që mund të vinte nga Rabio, por PSG nuk lëshon pe.

Kesi, Bakajoko, Bilia, të tre ofrojnë pak në aspektin e organizimit, ndaj do të varet shumë nga Suso, Çalhanoglu e Bonaventura. Ndërkaq, Milinkoviç Saviç është një ëndërr, por jo për tani./sport-ekspres/