Ecuria në vitet e fundit nuk ka qenë as për së largu e ngjashme me ditët e lavdishme, por Milani vijon të jetë joshës për investitorët. Pavarësisht përgënjeshtrimit të dy muajve më parë, në ambientet italiane të financës zërat për blerjen e klubit milanez nga “Louis Vuitton” vazhdojnë. 

Kolosi i modës thuhet të ketë gati 965 milionë euro për 99,8% të aksioneve të kuqezinjve. Pasi zotërojnë 70 brende të njohura nëpër botë, francezët duan të kenë akses edhe në botën e sportit dhe “Djalli” do të ishte blerja e radhës në Itali, pasi prej disa kohësh kanë mbyllur blerjen e markave të modës si “Fendi” e “Bulgari”.

OFERTA – Me paratë e përfituara nga shitja e Milanit, “Elliott” do të kishte kështu mundësinë të dilte përfundimisht nga bota e sportit italian. Fondi nga SHBA-ja nuk ka qenë kurrë entuziast për aktivitete në sporte dhe “Djalli” në njëfarë mënyre u ngeli në dorë, pasi Jonghong Li dështoi të shlyente huan e marrë pikërisht prej amerikanëve, të cilët deri tani kanë investuar rreth 400 milionë euro për të garantuar vazhdimësinë e Milanit.

Sa i përket “LV”, kjo kompani ka një faturim prej rreth 200 milionë eurosh në vit, teksa ka edhe 150 mijë të punësuar. Mandatin për bisedime e ka Antuan Arno, djali i pronarit Bernard, teksa pasuria e familjes i kalon 95 miliardë eurot.

Për kuqezinjtë, plani është që të shpenzohen 965 milionë euro, teksa akordi duhet të arrihet brenda këtij viti për të marrë më pas formë praktikisht në verën e vitit 2020.

OBJEKTIVI – Blerja e “Djallit”, sipas mediave italiane, po ndiqet edhe nga dy banka shumë të rëndësishme në Gadishullin Apenin, por edhe nga një ish-president federate që është tifoz i Interit.

Karlo Tavekio ka mohuar përfshirjen e tij, teksa në Itali vijon “gjuetia” e ndërmjetësit. Sa i përket blerjes së Milanit, kjo nismë do të thoshte hyrje nga porta kryesore në botën e futbollit, aq më tepër në një qytet si Milanoja, që është shumë i njohur edhe për modën.

Kjo mundësi do të shfrytëzohej nga “Louis Vuitton” për financimin e stadiumit të ri që do të ishte një reklamë e jashtëzakonshme, por edhe rritje e shanseve për të qenë ndër sponsorët zyrtarë të Lojërave Olimpike Dimërore “Milano-Kortina 2026”.