Milani duket se ka kthyer në objektiv preferencial Real Madrid, duke afruar nga skuadra spanjolle ata lojtarë që duket se janë jashtë planeve të “los blancos”. Por sipas mediave spanjolle, transferimi që po mendojnë kuqezinjtë, do të ishte me të vërtetë i bujshëm.

Milani ka piketuar Isko Alarkon, mesfushorin ofensiv spanjoll i cili duket se i ka ditët e numëruara te madrilenët. Lojtari nuk bën pjesë në planet e Ançelotit dhe klubit, ndaj është nxjerrë në shitje.

Sigurisht, ofertat nuk mungojnë për një lojtar të tillë, i cili për shumë vite ka qenë pjesë e të padiskutueshmëve te Reali si dhe e ka ndihmuar atë në periudhën kur triumfonte në Ligën e Kampioneve në 4 edicione.

Sipas informacioneve të fundit, Isko ka qenë në kontakt të vazhdueshme me mikun e tij, Brahim Diaz dhe ka kërkuar informacione për Milanin dhe Italinë.

Në Spanjë insistojnë se ai nuk do të ishte kundër transferimit në Milano, ku sigurisht do të kthehej menjëherë në një nga yjet e projektit të ri të klubit.