Karakteri, ambicia dhe dëshira për të fituar. Dëshira për të fituar, ambicia dhe karakteri. Ky është refreni i kohëve të fundit në epokën e drejtimit të Conceiçao, gjithashtu kërkesat e tij të shumta, shpesh të papërmbushura.

Milani barazoi në derbi kundër Interit dhe, parodoksalisht, duke parë renditjen e momentin e formës, doli nga ajo ndeshje me keqardhje për humbjen e dy pikëve në kohën shtesë. Megjithatë, minutat e plota të lojës konfirmuan hendekun aktual mes dy skuadrave, një hendek që u zbut, por nuk u fshi, nga golat e anuluar dhe shtyllat, pa përmendur polemikat.

Karakteri e çoi Milanin te barazimi, me pak fat, por a mjafton vërtet ambicia dhe dëshira për të fituar për t’i dhënë mundësinë këtij Milani të ngjitet në klasifikim? Një të vërtetë, Conceiçao e tha: që kur ka ardhur, nuk ka pasur as kohë dhe as mundësi për ta stërvitur skuadrën sipas koncepteve të tij, intensitetit të kërkuar dhe shpejtësisë në lojë.

Milani, si shumë skuadra të tjera, ka luajtur gjithmonë çdo tri ditë. Lajmi i trishtuar për trajnerin portugez është se do të vazhdojë ta bëjë këtë edhe gjatë gjithë muajit shkurt për shkak të “vetëvrasjes sportive” në Zagreb.

Megjithatë, boshllëqet janë të dukshme dhe mund të fshehen vetëm pjesërisht nga karakteri, i njëjti që solli barazimin në derbi, fitoren në Superkupë dhe përmbysjet kundër Como e Parma. Kufizimet janë teknike dhe lidhen me skuadrën, që u ndërtua keq gjatë verës, por vetëm pjesërisht u përmirësua gjatë javës së fundit të merkatos të çmendur.

Në derbi, siç theksoi edhe vetë Conceiçao pas ndeshjes, Milani pati vështirësi të mëdha në mesfushë. U ndje mungesa e Fofana, mjaft i rëndësishëm, por në formë të dobët për disa javë. Kjo nuk shpjegon ndërtimin e një reparti që aktualisht është i paaftë të ndjekë kërkesat taktike të trajnerit të tij, si teknicitetin, ashtu edhe numrin e lojtarëve.

Duhej më shumë muskulaturë, një karakteristikë që faktikisht mungon në shumicën e lojtarëve kuqezinj. Zëvendësimet Bennacer-Jimenez dhe Musah-Terracciano janë dëshmi e qartë për këtë. Diçka nuk shkon dhe nuk është bërë asgjë për ta rregulluar atë.

Zgjedhja tani është në duart e Conceiçao, katër muajt e fundit duhet të përballohen me mentalitetin e derbit, gjithmonë duke e cituar trajnerin. “Në këtë moment nuk kam lojtarët e duhur për lojën që dua, sepse ata nuk janë stërvitur për ta bërë këtë dhe videot nuk mjaftojnë, – ka theksuar portugezi, duke nënvizuar kohën e shkurtër që ka pasur për të vendosur bazat. – Mua më pëlqen një skuadër që bën presing, e kompakte, e vendosur lart, agresive dhe me intensitet të lartë. Në këtë moment nuk kemi asgjë nga këto”./telesport/