Pas disfatës së rëndë në shtëpi kundër Atalantës, që praktikisht ka minuar shanset për një kualifikim në Europë përmes kampionatit, Milani është i detyruar të shpëtojë ç’të mundet, duke u kapur pas derbit të Kupës së Italisë.

Në “Derbin e Madonninës” kundër Interit, kuqezinjtë do të kërkojnë biletën për në finalen e madhe të Kupës, një objektiv që mungon nga pranvera e vitit 2016. Edhe pse sfida paraqet vështirësi, mbetet brenda mundësive të Milanit, pavarësisht krizës së thelluar dhe një Sergio Conceicao që do të donte ta mbyllte aventurën e tij në pankinën kuqezi me një tjetër trofe, pas Superkupës.

Pikërisht ndaj Interit, më 6 janar, Milani siguroi trofeun e parë sezonal, duke përmbysur zikaltërit dhe fituar Superkupën Italiane. Tre muaj më pas, në një tjetër përballje të zjarrtë, Milani ëndërron ta përsërisë atë sukses. Por për ta bërë këtë, duhet të thyejë një trend shqetësues, sidomos përballë skuadrave të mëdha të Serie A.

Vetëm Interi i mposhtur mes “top 10”
Duke shikuar klasifikimin aktual, bie në sy një fakt që nuk mund të anashkalohet: Milani, i cili aktualisht ndodhet në vendin e nëntë, ka fituar vetëm një ndeshje kundër skuadrave që ndodhen në dhjetëshen e parë të tabelës.

Dhe ajo fitore erdhi pikërisht në derbin e parë të sezonit ndaj Interit (2-1 më 22 shtator), me gola të Christian Pulisic dhe Matteo Gabbia, që përmbysën barazimin e përkohshëm të Federico Dimarcos. Ishte ende koha e Paulo Fonseca në stol. Që prej asaj dite, Milani nuk ka fituar më asnjë “përballje direkte”.

9 humbje – një bilanc dramatik
Nëse marrim në analizë të gjitha ndeshjet kundër skuadrave në “top 10” të renditjes aktuale të Serie A, bilanci kuqezi është i frikshëm: 16 ndeshje, vetëm një fitore, 6 barazime dhe plot 9 humbje. Këto të fundit kanë ardhur ndaj:
Napolit (2-0 në “San Siro” dhe 2-1 në “Maradona”)
Atalantës (2-1 në Bergamo dhe 1-0 në shtëpi)
Bologna, Juventus, Lazio, Fiorentina dhe Torino – të gjitha e kanë mundur të paktën një herë Milanin.

9 pikë nga 48 të mundshme
Në terma pikësh, Milani ka mbledhur vetëm 9 nga 48 të mundshme ndaj rivalëve të fortë në kampionat. Statistikat janë të pamëshirshme dhe pasqyrojnë në mënyrë të qartë dështimin e kuqezinjve në ndeshjet e mëdha. Ky bilanc mund të rezultojë fatal për pjesëmarrjen europiane sezonin e ardhshëm, përveç nëse ndodh një mrekulli në Kupë.

Bilanci i Milanit në përballjet direkte:
Ndaj Interit: 1 fitore, 1 barazim
Ndaj Napolit: 2 humbje
Ndaj Atalantës: 2 humbje
Ndaj Bologna: 1 humbje (kthimi ende për t’u luajtur)
Ndaj Juventusit: 1 barazim, 1 humbje
Ndaj Romës: 1 barazim (kthimi ende për t’u luajtur)
Ndaj Lazio: 1 barazim, 1 humbje
Ndaj Fiorentinës: 1 barazim, 1 humbje
Ndaj Torinos: 1 barazim, 1 humbje

Kalendari i mbetur i Milanit në Serie A:
Java 34: Venezia–Milan
Java 35: Genoa–Milan
Java 36: Milan–Bologna
Java 37: Roma–Milan
Java 38: Milan–Monza

Pesë “finale” për një skuadër që ka mbetur pa alternativa. Kupa e Italisë është mundësia e fundit për të shpëtuar një sezon që rrezikon të përfundojë në harresë.