Zvonimir Boban dhe Paolo Maldini, pas zyrtarizmit të trajnerit Marko Xhampaolo dhe mesfushorit Rade Kruniç, po përgatisin goditjen e radhës. Emrat janë të shumtë dhe prekin të gjitha repartet, por një orvatje e mirëfilltë deri tani nuk është bërë për askënd.
Lëvizja që bën të shpresojë tifozët milanistë, është udhëtimit i dyshes drejtuese të “Djallit” drejt Madridit. Reali në javët e fundit shënon mbipopullim në organikë dhe duke dashur të përfitojnë nga ndonjë ofertë sezoni, Maldini dhe Boban thuhet të kenë siguruar një takim më homologët madrilenë.
SONDAZH – Me 37 lojtarë në bordero, Florentino Perez duhet të largojë të paktën 12 “nëpunës” nga urdhrat e Zidanit, në mënyrë që francezi të punojë më i qetë, por edhe klubi të kursejë për ndonjë afrim tjetër pas Mendisë, Hazardit dhe Joviçit. Në këto rrethana, dëshira e Milanit lidhet me dy lojtarë, siç janë Isko dhe Dani Sebajos. I pari nuk ka garanci teknike, teksa i dyti, i grumbulluar me Spanjën U21, e ka thënë hapur se nuk dëshiron të punojë me Zidanin.
Sipas së përditshmes spanjolle “Marca”, Maldini dhe Boban janë shumë të interesuar për të dy mesfushorët, nga kartonët e cilëve Reali pretendon të përfitojë të paktën 50 milionë euro. Ata do të ishin idealë për skemat e Xhampaolos, falë mbulimit që u bëjnë roleve në mesfushë. Njëri regjisor (Sebajo) e tjetri fantazist (Isko), do të ishin dy përforcime ideale për të synuar Champions-in në sezonin e ardhshëm.
OFERTA – Me UEFA-n që monitoron kuqezinjtë, ndërkohë që përgatit shpalljen e dënimit ndaj tyre, Boban e Maldini e dinë se nuk mund ta teprojnë me investimet. Minusi sezonal i kuqezinjve aktualisht përflitet të jetë rreth 100 milionë eurove, por 50 milionët e pretenduara nga madrilenët, janë një pengesë që mund të kapërcehet.
Po sipas “Marca”, Milani do të mundohet të arrijë një marrëveshje paraprake, duke ulur disi pretendimet e Realit, por sidomos duket e “mbuluar” më një akord huazimi dyvjeçar, ndërkohë që pagesat e blerjes së tyre të bëhen me këste. Vështirësi maksimale për dyshen drejtuese të klubit italian, por administratori Ivan Gazidhis shpreson që “kryqëzata” e tyre madrilene të sjellë frytet e para.