Çdo gjë e ka një fund dhe te Milani duket se fundi i ciklit që ktheu kuqezinjtë në lartësinë e emrit, ka ardhur. Projekti i vjetër që arriti majat me Piolin, po zbërthehet pak nga pak dhe tanimë në klubin italian janë të bindur se ka ardhur koha e ndarjes edhe me tre nga ata lojtarë të cilët ishin pjesë e boshtit që kthyen Milanin te lavdia e dikurshme.

“La Gazzetta Dello Sport” bën të ditur se klubi tashmë po bëhet gati të shesë edhe treshen Mike Maignan- Theo Hernandez- Rafael Leao gjatë verës.

Jo për çështje bilanci, por duke parë rënien e ndjeshme të rendimentit të tyre, që po dëmton më shumë skuadrën se sa po e ndihmon atë në këtë moment ndërrimi brezash.

Luhatjet e Theos dhe Leaos kanë kohë që kanë nisur, ndërsa në këtë sezon, Maignan po shfaqet në një formë shumë larg asaj që i siguroi nofkën “Magjiku” pasi pritjet e tij ishin shpeshherë vendimtare. Tanimë janë gabimet e francezit që po bëhen vendimtare dhe rënia e Milanit kalon edhe nëpërmjet pasigurisë së tij.

Maignan dhe Hernandez kanë kontratat që u përfundojnë në vitin 2026, ndaj në klub janë të qartë se gjatë kësaj vere duhet të bëjnë lëvizjen për shitjen e tyre.

Ndërsa Leao ka kontratën që mbaron në vitin 2028, ndaj nuk është ky ngut. Por me luhatjet e tij dhe mungesën e dëshirës që shfaq shpesh në ndeshje, largimi i tij gjatë verës bëhet thuajse detyrim.