Milani po synon që të mposhtë konkurrencën e Arsenalit për të siguruar nënshkrimin me Benjamin Seskon gjatë afatit kalimtar veror.‘Rossonerët’ thuhet se janë të gatshëm të ofrojnë 50 milionë euro për shërbimet e sllovenit, dhe kjo mund të bëjë që ata të kenë një avantazh ndaj Arsenalit pas takimit me agjentët e yllit të Leipzigut.

Sipas Gazzetta dello Sport, takimi shkoi shumë mirë dhe ekipi i ardhshëm i Seskos sipas të gjitha gjasave do të jetë Milani.Por teksa marrëdhëniet mes dy ekipeve raportohet se janë të mira, Milani me shumë mundësi do të detyrohet që ta rrisë ofertën e tyre, pasi paraqitjet e Seskos mund të bëjnë që çmimi i tij të ngritet në 65 milionë euro dhe mund të shkojë madje deri në 73 milionë.

Që prej se u bë e ditur që Olivier Giroud do të largohet nga Italia në fund të sezonit për t’u transferuar në Amerikë tek Angeles FC, Milani ka bërë vazhdimisht përpjekje për të gjetur zëvendësuesin e tij.

20-vjeçari ka shënuar 11 gola në 27 paraqitje për Slloveninë dhe ka qenë në formë të mirë për Leipzigun këtë sezon. Ish-ylli i Salzburgut ka shënuar 13 gola në 30 ndeshje në Bundesliga, duke përfshirë gjashtë gola në gjashtë ndeshjet e fundit, dhe po ashtu ka shënuar dy herë në Ligën e Kampionëve, aty ku u eliminuan nga Real Madridi./Telegrafi/