Ndeshja Milan-Juventus që do të luhet të dielën në mbrëmje në “San Siro” është e destinuar të vendosë disa rekorde. Klubi kuqezi do të ketë të sigurt rekordin e arkëtimeve nga kjo sfidë e vlefshme për javën e 12-të të Serisë A.
Nëse në mesjavë Interi vendosi rekordin e 5.9 milionë euro arkëtime për ndeshjen e Champions League ndaj Barcelonës, për ardhjen e Cristiano Ronaldo si juventin në “San Siro” priten 70 mijë shikues. Çka do të thotë që Milani do të arkëtojë 4.9 milionë euro, një rekord për klubin kuqezi.
Ka disa javë që biletat e kësaj sfide janë shitur tërësisht, me përjashtim të sektorit të tifozëve miq, me juventinët që janë ankuar për çmimet e larta.
Nga ana tjetër konfirmohet se ndeshja do të shihet në të paktën 200 shtete anembanë botës, pasi Milan-Juve është një klasike e futbollit italian e atij botëror.
Për këtë ndeshje, drejtuesit e Milanit do të organizojnë një ceremoni të veçantë, ku të pranishëm do të jenë disa ikona të klubit kuqezi, si Zvonimir Boban, Demetrio Albertini e Jean Pierre Papin, që do të nderohen me një fanellë të veçantë nga presidenca e Milanit./telesport/