Milani i ka dhënë lamtumirën Ligës së Kampioneve pasi është eliminuar me barazimin 1-1 në shtëpi përballë Fejenordit. Holandezët kishin fituar 1-0 ndeshjen e parë dhe u ka mjaftuar barazimi i sotëm në “San Siro” për të vazhduar më tej.

Milani në fakt e nisi ndeshjen siç dëshironte, pasi kaloi në avantazh që në sekondat e parë me anë të Santiago Himenez. Më pas, kuqezinjtë shpërdoruan disa mundësi të mira për të dyfishuar shifrat, duke kontrolluar ndeshjen,.

Por në pjesën e dytë Teo Hernandez bëri gabimin e madh duke u ndëshkuar me të verdhin e dytë për simulim dhe la ekipin e tij me 10 futbollistë. Kjo i dha qetësinë Fejenordit që pa më shpesh drejt sulmit dhe në fund gjeti golin e barazimit me Karranza.

Me këto shifra dhe në epërsi numerike, holandezët e kishin të lehtë të kontrollonin minutat e mbetura deri në vërshëllimën përfundimtare, që dekretoi kalimin e turit për ta dhe katastrofën e Milanit në fushën e vet.

MILAN-FEJENORD 1-1
1′ S. Himenez / 73′ Karranza