Ish-futbolli i Kombëtares dhe Dinamos, Arben Milori, ka analizuar situatën e Tiranës, e cila ndodhet në pozita të vështira në prag të derbit të ditës së hënë ndaj Partizanit. I ftuar në studion e “Rubrikës Sportive”, Milori ndër të tjera deklaroi:
“Siç është Tirana tani ka qenë edhe Partizani. Ka dalë edhe në Kategori të Tretë, Partizani. I morën ambientet, e shkatërruan fare. Dinamo po ashtu. Në qoftë se ka një ekip “të llastuar” post demokracisë është Tirana.
Tirana i ka pasur ambientet, i ka gëzuar të gjitha, mori edhe stadiumin, nga Dinamo e mori stadiumin e bëri të vetin. Është stadiumi Dinamo ai apo jo? Te ai stadium janë stërvitur, kanë fjetur lojtarë të mëdhenj të Dinamos, si Ilir Përnaska, Ballgjini, Zëri etj.
Që Tirana është ekipi më i llastuar, kjo është e vërtetë. Unë nuk dua që Tirana të bjerë nga kategoria, për shumë arsye, edhe për faktin që jam lindur dhe rritur në Tiranë. Në qoftë se bie, nuk është fundi i botës, ata të nxjerrin mësime, ta drejtojnë ekipin siç duhet, të investojnë siç duhet, të jenë korrekt me lojtarët. Në fund fare për çdo gjë ka një arsye”, u shpreh Milori.