Auron Miloti, ish-futbollist dhe trajner i Vllaznisë, ka analizuar ecurinë e kuqebluve deri tani në kampionat. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ish-sulmuesi ka theksuar se ekipi është në rrugën e duhur për të tentuar fitimin e kampionatit dhe Kupës këtë edicion. E ndërsa dallon edhe dy kundërshtarët që mund t’i “prishin” punë 9 herë kampionëve të vendit. Ndër të tjera, Miloti ndan edhe një mendim për “klasiken”, Tirana-Vllaznia, duke qenë se në të shkuarën ka mbajtur veshur fanellën e të dy ekipeve.
Një Vllazni që po bind në javët e fundit apo jo?
Është e vërtetë që Vllaznia ka rezultate të mira në këtë periudhë. Dhe në njëfarë mënyre po bind edhe me lojën që zhvillon. Por tani vjen pjesa më e vështirë, sepse ekipi duhet të ruajë pozicionin ku ndodhet. Pozicion që do ta favorizojë në ndeshjet e “Final 4” dhe që i jep një “avantazh” të lehtë. Shpresoj që ekipi të mbajë këtë ritëm deri në fund të sezonit të rregullt.
Sa e rëndësishme është që skuadra nuk humbet, pavarësisht shumë barazimeve? Fitoret janë gjithmonë të bukura, por jo gjithmonë të arritshme. E rëndësishme është që skuadra të tregojë veten dhe mos lëshojë. Të ketë mentalitetin e duhur dhe anën psikologjike të qetë. Faktorë këto që unë i shoh që ekzistojnë te Vllaznia prandaj edhe ekipi ka thuajse dy muaj që nuk pëson humbje.
Çfarë mund të përmirësojë skuadra? Deri tani Vllaznia po paraqitet mirë, duke marrë edhe rezultate pozitive. Ana sulmuese po funksionon dhe këtë e tregojnë edhe golat e shënuar. Problemi qëndron në prapavijë, ku ekipi ka pësuar shumë. Vllaznia është në garë si për kampionatin dhe Kupën e nëse do të jesh i suksesshëm duhet që si faza sulmuese dhe ajo mbrojtëse të funksionojnë.
Tani duket se ekipi ka më shumë opsione me rikthimin e disa futbollistëve, mund të “prishë” kjo planet e Brdariç? Për trajnerin është një luks t’i ketë gjithë futbollistët në dispozicion, sidomos në këtë periudhë ku ndeshjet do të jenë të shpeshta. Kjo nuk prish aspak planet dhe qëllimet që ka trajneri. Përkundrazi, e përforcon dhe i jep një ndihmesë skuadrës për arritjen e objektivave.
Një figurë si Balaj, sa ndikon tek të tjerët? Bekimi (Balaj) është kapiteni i skuadrës dhe një figurë e rëndësishme në lojën e Vllaznisë. Ai është “zemra” e ekipit dhe Vllaznia është me fat që e ka. Profesionalizmi dhe pozitiviteti, që ai përcjell tek të gjithë, ndikojnë shumë pozitivisht në skuadër. Një lojtar i tillë është me të vërtetë lider dhe kapiten për skuadrën.
Cilat janë skuadrat në syrin tënd që mund të tentojnë titullin në fund? Së bashku me Vllazninë shoh dy ekipe që do të rivalizojnë deri në fund për kampionat dhe kupë. Ato janë Egnatia dhe Dinamo, të dyja, skuadra që kanë cilësi. Që kanë futbollistë me eksperiencë dhe që dinë të shfaqen në nivelin e duhur në fushën e lojës.
Mund të jetë ky sezoni i Vllaznisë për dopietë trofesh? Shkodra ka vite që e pret rikthimin e titullit kampion në qytet. Uroj dhe dëshiroj që ne (Vllaznia) të fitojmë titullin kaq shumë të munguar. Por rruga për të arritur aty është ende e gjatë dhe do të ketë një luftë të ashpër sportive. Skuadra duhet të jetë e përqendruar dhe të jetë në maksimum në çdo duel.
Të martën kthehet “klasikja” Tirana-Vllaznia, si e parashikon dhe kush mund të shënojë?
Në pozicionin e tabelës ku shfaqen dy skuadrat aktualisht, Vllaznia është më e favorizuar. E rëndësishme nuk është kush lojtar shënon, por cili ekip merr fitoren në fund. Vllaznia nuk duhet ta nënvlerësojë aspak Tiranën për shkak të vendit në renditje. Besoj se do jetë një lojë e bukur dhe e hapur për sportdashësit e të dy skuadrave. Nëse Vllaznia nuk nënvlerëson besoj se ia del me sukses për të marrë fitoren, uroj që kuqeblutë të marrin 3 pikët nga kjo “klasike”.