Pak javë më parë kryesonin me 9 pikë larg ndjekësit më të afërt, ndërsa pas javës së 21 gjenden vetëm tri pikë larg nga Partizani i vendit të dytë. Vllaznia duket se ka një problem me golin në gjashtë javët e shkuara, teksa kuqeblutë kanë vetëm një fitore.
Në Shkodër kanë nisur të shqetësohen për mungesën e golit, teksa sulmuesit kanë nisur një periudhë “shterpësie”. Dilaver qëndroi për më shumë se 9 javë pa gjetur rrjetën, dukshëm në krizë besimi te vetja.
Dy ndeshjet e fundit, ajo me Skënderbeun dhe Tiranën, boshnjaku ka shënuar dy herë nga pika e bardhë. Kjo nuk i ka mjaftuar Vllaznisë që të marrë pikët e plota, teksa dje me kampionët në fuqi të Tiranës është përmbysur në “Loro Boriçi”.
Një tjetër mangësi në këto javë “disheze” është edhe raporti jo i mirë me golin që ka Ardit Hoxhaj. Sulmuesi tjetër i Vllaznisë është stopuar në kuotën e tetë golave, teksa ka më shumë se një muaj që nuk ndjen shijen e golit.
Qysh prej golit në fundin e ndeshjes me Bylis në Ballsh në 20 janar, vlonjati s’e ka “ndihmuar” ekipin me realizimet e tij. Edhe pse sëbashku me Dilaver kanë 14 gola, tanimë Vllaznia duhet të nisë të shënojë nëse s’do që çështja titull të komplikohet.