Asnjë objekt banimi nuk do të prishet nga ndërtimi i stadiumit “Loro Boriçi” ky fakt është bërë i ditur gjatë takimit të zv/ ministrit të zhvillimit urban Alfred Dalipi me kryetarin e Bashkisë së Shkodres Lorenc Luka ku edhe është prezantuar projekti i stadiumit “Loro Boriçi”.Përveç se nuk do prishen banesat zv.ministri Dalipi ka siguruar se shumë shpejt do të nisë edhe procesi i demshpërblimit të pronarëve të cilët do tu preken trojet nga ndërtimi i stadiumit “Loro Boriçi”.Paraditen e së mërkures në zyrën e kryetarit të bashkisë ka mbërritur edhe projekti i stadiumit “Loro Borici”.
Prej 2 ditësh banorët e zonës pranë stadiumit kishin bllokuar punimet për ndërtimin e stadiumit pasi u kishin thënë se do u prishnin banesat, thënie kjo e hedhur poshtë nga përfaqësuesit e qeverisë gjatë vizitës në bashkinë e Shkodres. “Jemi munduar që hartimi i këtij projekti të mos ndëshkojë familjarët e shtëpive rreth e qark stadiumit. Do të preken vetëm 5 njësi shërbimi njëkatëshe si dhe një pjesë toke. Të gjitha këto do të kompesohen sipas ligjeve në fuqi dhe shumë shpejt. Kemi ngarkuar Hipotekën e Shkodrës të bëjë verifikimet e pronësisë së këtyre objekteve, do të përcaktohet vlera e kompesimit financiar që do të marrin”- ka thënë z/ ministri Dalipi para kamerave. Edhe kryebashkiaku Lorenc Luka ka dhënë këtë lajm duke shtuar: “Siç e shikoni, përballë jush jemi të gjithë faktorët bashkë për të treguar se askush nuk është kundër këtij investimi madhor, përkundrazi duam që ai të bëhet sa më shpejt e po ashtu edhe duke lënduar sa më pak njerëz”. Ndërkohë prefekti Paulin Radovanika deklaruar se nuk ka patur asnjëherë ndryshim të projektit siç kanë aluduar banorët, ai ka qenë një dhe i vetëm që në fillim. Po ashtu, prefekti u ka bërë thirrje edhe banorëve të shtëpive rreth e qark stadiumit që të lejojnë vazhdimin e punimeve për të kapur kohën e humbur. Në këtë dalje para mediave ka qenë edhe drejtori i Hipotekës së Shkodrës Ilir Niklekaj dhe drejtoresha e Urbanistikës së Bashkisë Shkodër Aida Shllaku.
© shkodrasport.com