Në komunikimin e bërë të premten e kaluar, nëpërmjet një videokonference “live”, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, njoftoi masat lehtësuese që do të nisin nga dita e sotme.

“Do të lejohen nga data 1 qershor kampionatet sportive, pa praninë e publikut. Do të hapen parqet, qendrat e formimit arsimor, kulturor, qendrat e internetit sipas protokolleve të sigurisë, si dhe palestrat sipas protokolleve të miratuara”, deklaroi ndër të tjera Manastirliu.

Kështu, me njoftimin për hapjen e palestrave dhe me lejimin e kampionateve sportive, më në fund u mendua se u çel edhe drita jeshile për lojërat me dorë dhe aktivitetet e tjera në salla të mbyllura. Megjithatë, federatat ishin ende në dilemë, pasi ministria nuk ua kishte komunikuar zyrtarisht.

Por, tjetër gjë thuhet në deklaratën e ministres Manastirliu dhe tjetër në urdhrin që u është dërguar federatave nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Nëse në njoftimin në “Facebook” deklarohet se nga 1 qershori do të lejohen kampionatet sportive pa praninë e publikut, në urdhrin e përcjellë në rrugë zyrtare është specifikuar një shtesë, ku thuhet se nga 1 qershori do lejohet vetëm kampionati i futbollit pa spektatorë.

Një komunikim shumë i paqartë nga ministria, që shkaktoi një lëmsh të vërtetë në të gjithë komunitetin e sportit në vend.