Ministria e Financave nuk ka ndërmend të heqë dorë nga pretendimet e saj rreth katër kërkesave të Ligës së Kategorisë Superiore. Është ministrja Anila Denaj, e cila së fundmi ka konfirmuar qëndrimin e saj në lidhje me pretendimet e Ligës. Ajo tregon se ministria nuk ka ndërmend ta çojë në 10 vite zerimin e tatimit për pagat dhe shpërblimet e futbollistëve.
Ajo flet edhe në lidhje me kërkesën e Ligës për ulje të TVSH-së nga 20% në 6% për të gjitha investimet në sport me pretendimin e mund të nxisë investime më të mëdha në sport. Sipas saj nuk është aspak ashtu dhe nuk e sheh të arsyeshmë këtë liri nga ana e institucionit, që ajo drejton.
“Kemi zeruar tatimin për të ardhurat personale për dy vite, por për dhjetë vite janë shumë. Ne jemi të hapur për të diskutuar, u kemi ofruar edhe skemën e sponsorizimeve. Sa i takon uljes së TVSH-së në 6 për qind, nuk e shoh të arsyeshme. Ulja e TVSH-së në investimet private nuk është se nxit financimet në sport”, tha Denaj.
Ndërkohë ende nuk ka një përgjigje në lidhje me heqjen e kamatvonesave për klubet si Tirana, Vllaznia apo Flamurtari, që i kanë borxh shtetit qindra mijëra euro, që në fakt, një pjesë e tyre është akumuluar nga menaxhimi i gabuar në kohën kur klubet i menaxhonin bashkitë. /vipsport.al/