Luajtja e ndeshjes miqësore të djeshme ka qenë një element shumë i rëndësishëm për kolaudimin e skuadrës së Vllaznisë. Kjo miqësore e parë zbuloi deri diku edhe preferencat e trajnerit Mirel Josa për 11-shen e parë.

Për hir të së vërtetës, pas prurjeve të reja, po komentohet shumë në këtë drejtim. Megjithatë, fusha e lojës edhe në ndeshjet e ardhshme miqësore, do të zbardhë gjithçka në lidhje me këtë pikë.

Pak a shumë, duke parë edhe emrat që janë në dispozicion dhe ndeshjen e fundit miqësore, duket se porta me Zogoviç titullar dhe prapavija me Gurishtën dhe Hakajn në krahë dhe me Juriç dhe Bulatoviç në qendër, janë të sigurtë për të vijuar të luajnë në vendet e tyre, edhe pse Hakaj nuk luajti dje për shkak të një dëmtimi dhe vendin e tij e zuri Smajli.

Ndërkohë, lëvizjet e pritshme janë ato që i përkasin repartit të mesfushës dhe sulmit, ku krahas futbollistëve aktual të sezonit të kaluar, formacioni pritet të gërshetohet edhe me elementin e ri të ardhur në merkato.

Dje në mesfushë, Josa e nisi me Boshnjakun dhe Jonuzin përpara mbrojtjes, dyshe që do të vijojë edhe ndaj Kraiovës të luajë në vendet e tyre. Ndërkohë, në mbështetje të Aralicës, ishin Kruja, Heriç dhe Hoxhaj. Këtu, ndoshta ka vend për t’u ndalur, pasi mund të ketë ndryshime, me Vulaj apo edhe Markun që mund ta nisin si titullar.

Megjithatë, deri në fund të përgatitjeve për ndeshjen ndaj Kraiovës, mbetet për t’u parë formacioni me të cilin trajneri i Vllaznisë, Mirel Josa, do të luajë mbrëmjen e 21-korrikut.
Maringlen ZHIVANI