Vllaznia arriti të fitonte miqësoren e parë përgatitore kundër ekipit austriak të Traiskirchen. Shkodranët triumfuan në shifrat 1-0, falë një gol të Kristijan Vulajt. Një fitore që shërben si moral, por edhe një takim për të “lehtësuar” edhe këmbët e futbollistëve që prej disa javësh, po marrin një përgatitje të fortë fizike. Kuqeblutë ditën e djeshme e nisën thuajse ndeshjen me formacionin më të mirë.

Mungesat e vetme ishin ato të Liridon Latifit dhe Esin Hakajt, që mungonin për arsye fizike. Dhe trajneri Josa dhe stafi i tij vendosën që të mos e rrezikonon dyshen e krahut të majtë të kuqebluve. Por ata që dhanë “shkëndijat” pozitive ishin të rinjtë që u aktivizuan. Geralb Smajli që zëvendësoi Hakajn zhvilloi një takim të një niveli shumë pozitiv.

Po ashtu edhe të rinjtë e ardhur nga stoli duket se japin shpresë për të ardhmen. Ku vlen të theksohet edhe një super pritje e Kristi Qarrit në minutat e fundit të ndeshjes. Pritje që shpëtoi edhe fitoren e Vllaznisë në miqësoren e djeshme. Edhe futbollistët e rinj dhe të ardhur nga akademia do kenë shansin e tyre këtë sezon.

Patjetër kjo në bazë të meritokracisë dhe asaj se çfarë do japin gjatë sezonit. Në vitet e fundit realisht tek Vllaznia të rinjtë nuk është se janë aktivizuar shumë dhe janë lënë disi në harresë, por Josa do i japë shansin secilit të tregojë aftësitë e veta dhe të fitojë një vend protagonisti në ekipin e parë të kuqebluve.
Endri ÇINARI