FSHF ka bërë të ditur disa nga detajet për ndeshjen miqësore që ka planifikuar që të zhvillojë ndaj Arabisë Saudite më 26 tetor.

Një datë jashtë kalendarit ndërkombëtar të FIFA-s dhe që bën thuajse të pamundur grumbullimin e lojtarëve që luajnë në klube të huaja.

Kjo do të detyrojë trajnerin Edi Reja që të kthejë sytë nga Kategoria Superiore pasi FSHF ka bërë të ditur se “për këtë ndeshje do të grumbullohen rreth 23 lojtarë, pjesa më e madhe e të cilëve do të përzgjidhen nga klubet e kampionatit shqiptar dhe disa mund të vijnë nga jashtë”. Në FSHF me sa duket shpresojnë ende në mirëkuptimin e disa klubeve të huaja për të lënë të lirë futbollistët për sfidën që luhet pas më pak se dy javësh.

Institucioni i futbollit konfirmoi gjithashtu se ndeshja do të zhvillohet në “Al Nahyan Stadium” të Abu Dabit dhe do të nisë në orën lokale 18:30 (16:30 sipas orës shqiptare).

Shqipëria do të nisë grumbullimin më 22 tetor në Durrës dhe më datë 24 tetor do të zhvendoset drejt Abu Dabi, ku do të përgatitet për këtë duel. Lista e emrave të grumbulluar nga trajneri Reja do të publikohet më datë 20 tetor.