Vllaznia i mbylli miqësoret verore me ndeshjen e djeshme të zhvilluar ndaj Laçit. Derbi verior që u luajt në Kurbin shikoi në fund rezultatin 1-1 mes dy skuadrave. Ku do ishte fillimisht Vllaznia që do shënonte me anë të Ardit Deliut në pjesën e parë.

Gol që do barazpeshohej nga rrjeta e William Corderios në minutën e 75-të të ndeshjes. Duke bërë kështu mbylljen e ndeshjeve miqësore për të dy skuadrat, që tashmë do përqendrohen tek kampionati që starton fundjavën tjetër.

Për mediat pas ndeshjes miqësore me laçianët ka folur edhe trajneri i Vllaznisë, Thomas Brdaric. Gjermani u ndal tek performanca e skuadrës së tij, duke theksuar se pjesa e parë ishte shumë pozitive. Po ashtu ish-futbollisiti i Bayer Leverkusen u ndal edhe tek merkato dhe lojtari i ardhur në provë, Podrimcaku. Duke theksuar se Vllaznia është ende në kërkim të futbollistëve cilësorë.

Brdaric tha: “Në pjesën e parë zhvilluam një 45 minutësh që më kënaqi. Qëndruam lart duke bërë presing mbi kundërshtarët dhe duke e konkretizuar edhe me gol. Në të dytën ritmi sikur ra edhe për shkak të zëvendësimeve të shumta, por këto ndodhin në miqësore.

Merkato? Sot (dje) pamë edhe Podrimcakun. I cili është në provë dhe për të do vendosim deri në fundin e javës sepse do ketë edhe disa ditë për tu vëzhguar nga ana jonë.

Sulmuesi? Patjetër duam sulmues dhe jemi në merkato e do kërkojmë deri në fund për të. Kishim edhe sulmuesin malazez që nuk arriti ti plotësonte pritshmëritë. Prandaj edhe lojtari që duhet të vijë duhet të jetë i përshtatshëm për ekipin dhe stilin tonë. Por të jeni të sigurtë që sulmuesin do e kërkojmë deri në orën e fundit të merkatos”.
Endri ÇINARI