Vllaznia do t’i japë fund përgatitjeve në Ulqin pasditen e së enjtes kur do të kthehen në Shkodër. Në këtë mënyrë mbyllen 12 ditët e stërvitjeve në qytetin bregdetar të shtetit fqinj ashtu siç ishte programuar. Një periudhë që shërbeu shumë për skuadrën në mënyrë të rriteshin parametrat fizikë të futbollistëve. Por ndërkohë, bëhet e ditur se kuqeblutë kanë siguruar edhe ndeshjen e dytë miqësore e cila nuk do të luhet në Ulqin në fakt, por në Shkodër.

Trajneri Gjoka ka rënë dakord me atë të Tërbunit, Kreshnik Krepin dhe kësisoj është vendosur që miqësorja të luhet pasditen e së premtes. Po ashtu, mendohet që kjo ndeshje të zhvillohet në stadiumin “Loro Boriçi” por nuk është krejt e sigurtë. Arsyeja është se çdo gjë varet nga kushtet atmosferike. Nëse do të vazhdojnë reshjet e shiut, normalisht që nuk do të luhet në stadium por miqësorja do të spostohet për në fushën “Reshit Rusi”. Kjo ndeshje do t’i shërbejë trajnerit Ernest Gjoka për të parë edhe njëherë gjendjen e skuadrës dhe funksionimin e saj vetëm pak ditë përpara sfidës së parë të kampionatit, asaj me Kukësin.

www.shkodrasport.com