Federata Spanjolle e Futbollit ka përcaktuar vendin e zhvillimit të miqësores së 26 marsit kundër Shqipërisë Sipas mediave spanjolle miqësorja e marsit do të luhet në Barcelona në stadiumin “RCD Stadium”, aty ku i zhvillon takimet e veta Espanjoli i Keidi Bares.
Edhe për Spanjën, kjo është një ndeshje e veçantë, sepse “Furia e Kuqe” kthehet të luajë një ndeshje në Barcelona pas plot 18 vitesh. Për herë të fundit, Spanja luante në Barcelonë më 18 shkurt të vitit 2004 në një miqësore kundër Perusë. Asokohe luhej në stadiumin olimpik në Park Montjuiç.
Prej kohësh, presidenti i federatës spanjolle Luis Rubiales po mendonte të kthente kombëtaren e këtij vendi në Barcelonë. Në këtë mënyrë më 26 mars Shqipëria do t’i bëjë vizitë Spanjës në “shtëpinë” e Keidi Bares.
Mesfushori kuqezi aktivizohet prej disa sezonesh me bardheblutë e Espanjolit dhe për të do të jetë një ndeshje e veçantë përpara publikut të tij.