AVENTURAT MARRAMENDËSE TË MIRASH VUKSANIT

Për Mirash Vuksanin mundja ishte një trimëri romantike. Ai  në sensin sportiv ishte një hero, në sensin njerzor gjithmonë i ndershëm i sinqertë e burrërorë. Djali i Palinës dhe i Vukasanit ka lindur në lagjen Pjolla të Shalës në vitin 1935.

Tek e shikoje me sy Mirash Vuksanin shtatlartë me fizikun e tij  të bëshim e harmonik, mendja të shkonte tek kreshnikët e legjendave të veriut me fuqi  mbinjerzore, pjellë e fantazisë së mitologjike të parardhëseve tanë të vjetër. Sikur kreshniket e lashtë  të rrokeshin në një log livadhi me Mirashin e pathyeshëm  shumë nga ata do të kishin mbetë pa lavdinë e tyre shekullore, pasi djaloshi  i kohrave moderne ishte po aq i zoti sa të sfidonte çdo legjendarë.

Duke flakur tej epitetet dhe duke qëndruar me këmbë në tokë Mirash Vuksani, për 10 vjet rresht, ka qënë shqiptari më i fuqishëm në peshën vet. Kampion apsolut i mundjes klasike që ka mposhtur çdo kundërshtarë në pedanën e tapetit, aty ku shemben dhe  lartësohen sovranet dhe shkruhet historia, e cila kompioneve u vjen nga pas.

Mirash Vuksani ka qënë sinonim i malsorit klasik, me karaker të fortë dhe i vëndosur  si një curr shkëmbi,  fjalë pak, gazmor me impulse të theksuera burrërore. Malsori dukagjinas nuk e ka ndarë për as një moment mundjen (rrokjen vençe) nga jeta e tij, por e ka pasur përherë të pranishme  si pjesë integrale të jetës.

Mundjen dukagjinsi e ka demostruar në kohën e lirë, në festa, gezime, në bejleqe të fortësh, në pushime argatije ( mihtarësh, kostarësh), në podina livadhesh qilimartë, ku çobanët dhe të rinjët e ndryshëm matnin forcat mes tyre dhe demostronin shkathtësinë në prezencë të shoqërisë  së lagjës, fshatit apo të bajrakut me bajrak duke u dhuruar atyre emocione gëzim dhe krenari.

Fituesi  të vetmën trofe, kishte përgëzimet e publikut dhe shtërngimin burrërorë të  dorës nga ana e kundërshtarit, pasi rrokja nuk kishte as një hile as truk, vetëm duel të pastër force. Mirash Vuksani erdhi në arenë e mundjes klasike shqiptare i vrullshim si lumi alpin  i Shalës, i ushqyer nga baseni tradicjonal burimor i rrokjes trup më trup.

Duke kujtuar bëmat trimërore të kampionit, i ndjeri Ndoc Toma i Vuksanajve thoshte: ”Mirashit Zoti i kishte dhënë forcë veç të tjerve; kur mblidheshin rinia në vende të ndryshme për lojra  e hajgare. Fillimisht pati nga ata të fortë  që i kerkuan bjelek, madje edhe duke u “byrylekë” si qetë që shkrryejnë tokën me briena e këmbë dhe hedhin dhuen mbi shpatualla për të frikësuar kundërshtarin.

Mirashi do t’i mposhte njëri pas tjetrit këta “mëzet” së bashku me krenarinë e tyre ekstravagante, të cilët më pas u detyruan të heshtnin kur ky i ftonte të ndesheshin përseri. Vetëm Mark Deli Preka nga lagjia Stenaj e Vuksanajve mëgjithëse ishte më i thyer në moshë se Mirashi ka guxuar të matej me të duke  qëndruar rreth një orë të mbërthyer njeri me tjetrin  fyt për fyt si “dragonj”[1] .

Kamioni Mirashi buzqesh kur rikujton motin e shkuar dhe i vjen keq për raiavlin e tij potent të dikurshëm që sot nuk jeton më, të cilin sikur  jeta ta kishte përkëdhelur mund të ishte bërë një kampion pararendës i tij.

Sipas ndijimeve të mija romantike Mirash Vuksani është Herakliu njerzor  dukagjinas, simbol i forcës së patjetrësueshme që  e ngriti në panteonin e kampioneve më të mëdhenj  shqiptar të gjitha kohrave. Sikur të heqim një paralele imagjinare mes heroit të mitologjisë greke dhe kompionit tonë na rezulton një konvergim tangencial mes imagjinatës mitologjike dhe ralitetit praktik njerzor.

Herakliu që të pranohej në mbertrinë e Olimpit duhej të ralizonte një seri aventurash jashzakonisht të rrezikshme( të vrasë luaninin Nemeut, hidren e Lernit me 100 kokë, drerin e Cireneut dhe derrin përbindësh Erimantit, dhe  në fund të pastrojë hauret e pista Avgjisë)[2].

Edhe Mirashi ynë  përpara se të hynte në gardën e kampionve të mëdhenjë ralizoi një seri aventurash befasuese  pa ditur gjë  fare se po imitonte mitikikun helen. Që në moshën  rinore madje  përpara se të rekrutohej  Mirashi kishte  pasion peshkimin dhe sidomos gjuetinë me kurthe. Në një mëngjes të acartë dhjetori kur shkoi në bjeshkë të kontrodhonte kurthet, që kishte ngritur një natë më parë, gjeti një ujk pirat  të fuqishëm që kishte rënë në mënyrë të befasishme në çarkun të kurthës së Mirashit.

Ujku kishte tentuar të dilte nga çarku por dhëmbet e arkut të çeliktë e kishin pulkuar keqas, ndonëse ai kishte drumisur gjithë vëndin duke u shkrra me putra dhe  duke coptuar me dhëmbë pipat e frashrit dhe të shkozës që gjendeshin për rreth pusisë. Kur pa Mirashin egërsira gjaktare u terbua edhe  më tepër.

Ujku filloi duke sulmuar në mënyrën më instiktive gjuetarin, i cili me përvojën e vet iu shmang rrëzës goditëse të kafshës së deshpëruar dhe e neutralizoi me një sfurk në formë të germës “V” të cilin ia futi në qafë, pastaj me litarin që kishte më vete ja shtërngoi si në morsë dy nofullat duke e detyruar gjahtarin e famshëm të pyllit të rrinte gojë kyçur si në dry, kurse me majën tjetër të litarit i lidhi këmbët dhe hodhi mbi supe duke e çuar të gjallë në shtëpi, veprim që çuditi të gjithë mahallën.

Afër papazit të huarit të bagëtive i ndertoi një kafaz të cilin e vizituan dhjetra e dhjetra  kureshtarë nga gjithë Dukagjini. Ndodhia konçidoi me festën traticionale të Shën Gjonit të cilën Shala e feston me miqësi, nuk mbeti festarë që erdhi në Pjolla pa shkuar për vizitë qoftë për të uruar Shëngjonin, qoftë për të parë ujkun zënë “rob”. 

Babait të Mirashit (Vuksit) për “mbrapshtinat” e të birit  i shkuan edhe 20 okë më shumë raki për festë se vitet e tjera nënvizon në kujtimet e tija Mjeshtri i Merituar i Sportit Dedë Bregu[3]. Ditën e parë të sherbimit ushtarak në garentinë, me 1960  në Gjirokastër, rekrutit të ri Vuksani i ra në sy një bosht  hekuri me dy rrotudha vagoni me peshë 150 kg të cilin  tetonin ta ngrenin pa sukses  ushtarët më të fuqishëm të atij Divizoni.

Kur të gjithë garuesit ishin dorzuar, madje filluan të largoheshin, Mirashi krejt  pa fjalë, pa bujë e kapi rrotullën e ngriti pa pikë problemi me të dyja duart lart mbi kokë, e mbajti pa u lëkundur fare dhe e lëshoi për dhe, duke fituar mbi stocizmin e hekurishtës së frikshme. Brenda pak minutash lajmi u përhap anëembanë repartit dhe pa vonuar aty u dyndën të gjithë ata që nuk e kishin parë në momentin e parë.

Mirashi nën fokusin e qindra syve kundërshtarë dhe xheloz, përseriti për se dyti, për së treti, madje edhe për të katën herë ritualin e tij të sukseshëm, ritual  që askush përpara Mirashit nuk e kishte mundur ta demostronte [4]. Shefi i fiskulturës oficeri i talentuar Servet Spaho të nesërmën erdhi dhe e pa me sy të vet “rrulin” e fuqishëm dhe vetëm  kaq mjaftoi që ta evidentonte e ta sterviste  si shtangist, i cili tre muaj më pas do të zinte vendin e parë në Spartakjadën Kombetare të  Ushtrisë në Tiranë  dhe pastaj  do të shpallej kampion kombëtar për vitin 1960 në peshngritje.

Një natë krejt  paprituar jepet alarmi për të dalë në pozicionin e zjarrit, situacioni ushtark duhej interpretuar përfekt  si në kushte reale të luftës .Në armaturë ndodhej mortaja e kalibrit 107 mm baraz me 187 kg e cila ndahej në  në tre pjesë dhe  tarnsportohej me mushka në qëndren e zjarrit, ku ishte instaluar topi kundërajroar.

Mirashi u thotë shokëve nuk pret puna të çmontojmë mortajën, të gjejmë mushkën  ta ngarkojmë e shkarkojmë e të shkojmë në qëndrën e zjarrit. Ai hyri në armaturë mori mortajën 187 kilshe pa pikë zorit turr e vrap mbrriti fluturim në pozicioni e zjarrit që ishte 30 minuta larg rrepartit. Komandanti i korpusit Gjeneral Muharrem Kokoni kur u njoh me këtë aventuarë të çuditëshme, urdhëroi që këtij ushtari t’i jepej racion i dyfishtë ushqimor[5].

Një aventurë të këndëshme të Mirash Vukasanit ma ka rrefyer i ndjeri  Mark Shytani i Thethit, mik i kahershëm i dukagjinsit  më të fuqishëm ndër mote.”Kam  punuar murator me një brigadë në ndertimin e pallateve të Grudës, kampioni Mirash Vuksani punonte në fermë dhe  pothuaj për ditë shiheshim, madje shpesh edhe pinin kafe e bënim qyfyre. Kishim në brigadë një jevg që kishte punuar në ngarkim -shkarkim në fabrikën e miellit, nuk e di se për ç’ arsye e kishin tarnsferuar tek ne.

Jevgji s’ ja kishte haberin as një pune tjetër veç  me bajtë, për atë zanat ishte vampir i vertetë. Kur donte të demostronte fuqinë  e vet “ kafshërore” ngarkonte katër thasë çimentoje 50 kg  njeharazi në kurriz nga magazina tek sheshi i ndertimit ku trazohej llaçi i betonit. Ishim duke pirë nga një dopjo me Mirshin kur jevgu i egzaltuar i thotë: Mirash ti në mundje më hedhë , por për të mbajtur pesha mbi kurriz ta hedhi- u mburr jevgu gjithë krenari. Sa kile mban ky njeri mor Mark?- më pyti Mirashi.

Mënd ka sa një gomar, trup ka sa një mushk dhe banë sa dy kuaj u përgjigja unë me shaka. -Lere ç’thotë Marku mor vëlla, mua 2 kv nuk mi ndien fare prapanica!- u mburr hamalli përseri. Mirashi i tha:Unë të çoj ty së bashku me të katër thasët e çimentos, me kusht që  të pimë prej teje unë e Marku birrë edhe meze në të kundërt ju të pini prej meje. -Mirash  ki kujdes se unë peshoj 85 kilogrom e “këshilloi” gjypi!

Marku në rrefimin e vet shprehet se e këshilloi Mirashin të mos vinte një bast kaq të vështirë, po ku terhiqej ai kur thoshte po. Dolëm nga klubi, shkuam tek magaziana, hamllit azgan ja lidha me litar 4 thasët e çimetos, ndersa Mirashi e mori në shpinë së bashku me thaste në pezencë të gjithë brigadës duke ecur si ciklob 50 m distancë me 285 kg në kurriz. Atë pasdite u argëtova duke pirë  me të fuqishim e fabrikës së mellit dhe super të fuqishmin e mundjes.

“Mirash vëllai”- i thoshte jevgu i  ardhur në formë nga rakia dhe berxollat ti je “herkuli” i Romës[6]. Mirash Vuksani simboli i kampionit të pa -thyshëm në jetë nuk u përkëdhel fare nga fati, madje përseri do të guxoja ta krahasoja me fatin e trishtë të heroit të mitologjisë helene Herakliu, i cili  pas gjithë atyre fitoreve të bujshme qe i detyruar të bënte  pastrimin haurvet  të  Avgjisë, ndërsa kampioni ynë absolut për të ushqyer vetën dhe familjen qe i detyruar të bënte punë të renda e të rëndomta në fermën Perlat Rexhep, Uzinën Drini dhe ndermarrjen e Blojës.

Gjithsesi duhet nënvizuar se gjithmonë ka haure për t’u pastruar, ka ara që duhen leruar dhe gjithnjë në jetë duhet  punë e mund për të jetuar, prandaj vetëm puna na bën të dobishëm. Mirash Vuksani ka qënë njeriu balldjersitur i punës  në jetë dhe i stervitjes dhe luftës në tapet.

“VAMPIRI”  I  TAPETIT

Mirash Vuksani konsideraohet gjersisht nga specilistët si një prej mundësve më të fuqishëm dhe më të talentuar të tapetit shqiptar.Që në fillim të sherbimit ushtarak u peshkua nga Profesor Ali Kastrati për klubin e Partizanit, për ngjyrat e të cilit luajti deri në vitin 1965.

Në vitin 1960 debuton për herë të parë në dy disiplina sportive, ngritje peshash dhe mundjen klasike duke u shpallur kampion në secilën disiplinë. I paharruar mbetet për Mirashin debutimi i parë me 29 dhe 30 nëntor në tapetin e mundjes greko-romake  në kryeqytetit ku fitonte trofeun e parë të jetës .Në listën e kampionve figurojnë Ferit Ago 17 Nëntori (pesha shumë e lehtë), Ivzi Muço Partizani (gjysëm të lehtë), Ndue Lleshi Dinamo (e lehtë), Ramë Kazani Dinamo (gjysëm të mesme), Luigj Doda Partizani ( mesme), Islam Balia Partoizani ( gjysëm të rëndë) Iljaz Ameti ( pesha e rëndë), Mirash Vuksani Partizani (shtypi i kohës nuk ka shënuar se çfarë pershe  konkuroi ), ndërsa edhe si ekip Partizani shpalet kampjon[7] .

Mirashi i rrethuar nga dy dashuri kishte rënë në hall se kuj t’ja prishë e kujt t’ja ndreqë, detyrohet të divorcohet me shtangën për tu lidhur pazgjidhshmerisht me mundjën, dashurinë më të zjarrtë të jetës së tij. Sporti burrëror i mundjes do ta rrembente në vorbullën e vet, “Patin” e  pathyeshëm përpara të cilit kanë puthur dyshekun e tapetit, emra të tillë sugjestinues duke filluar me të madhin, Mark Rama, “befasi” që i hapi udhën drejt fronit, fatin e Ramës do të pësonte i frikshmi Nuh Murseli i Përparimit,

dinamiku dhelprak Rexhep Alikaj i Lokomotivës, Mjeshtri i Merituar dhe  kampioni shembullor Eljaz Ahmeti, i Partizanit “kasapi” kockëthyes Asip Omuri i Tiranës gjigandin dinamovit, Mjeshtëri i madh  i racës së kapionëve Islam Balia, ujqërit  e pamëshirshëm, Islam Marku e Ramë Kazani, kavalierët e mirnjohur Neshat Alejdini i Dinomos, e Avni Halili i Partizanit, “pre” e  tutelës e Mirashit kanë rënë topuzxhitë Edihan Feko i Apolonisë, Bajram Haxhia i Durrsit edhe “Gjenerali” armat i Partizanit Stefan Gjenerli etj.

Startimi i fuqishëm i Mirashit i  bindi specialistët se këtë djalosh e priste një e ardhme e shkëlqyer në këtë sport, viti 1961 ishte një sukses i dyfishtë i Mirashit të ri, nga njëra anë posejdon titullin e dytë të kampjonit individual kombëtar dhe nga ana tjetër bën një prezentim të shkëlqyer në supërsfidën  me mjeshterin e madh internacional kampionin e botës Guriç Gjergji.

Me 9 korrik të vitit 1961 me ftesë të Klubit sportiv Partizani erdhi në vëndin tonë ekipi i mundësve të “Honvendit” të Budapestit përfaqësuese e ushtrisë së Hungarisë. Ekipi përbëhej prej  13 vetash, trajner i tij ishte  mjeshtri Karpati Karoi ish-kampion  bote me 1936.

Së bashku me ekipin kishte ardhur edhe gjyqtari Shamosh Pol i kategorisë nderkombëtare. “Honvend ishte kampion i Republikës së Hungarisë, në gjirin e të citit bënin pjesë mundësa disa herë kampion të Hungarisë, midis tyre ishte edhe mundësi i peshë së rëndë Guriç Gjergji kampjon bote” [8].

Në qytetin  e  Durrësit me datën 15 korrik të vitit 1961 do të ballafaqoheshin mundësit e ekiptit  tonë kampion  të Partizani me një stazh fillestar dhe pa asnjë përvojë nderkombëtare me mbretëreshën e Hungarisë  Honvend , një ekip kampionësh me shumë përvojë që përfaqësonte një prej shkollave më të sukseshme evro-lindore të mundjes kalasike. Ekipi hungarez  ashtu siç pritej shpalosi qartazi vlrerat dhe superioritin e tij  6:2 ndaj mundsve tamë të pa përvojë por të fuqishëm e luftarak.

Mundësi ynë Agim Devo fitoi me pikë ndaj Peter Autol 17 herë kompion i Hungarisë, ndersa Fiqiri Osmani do të sfidonte  me tuç në minutën e katërt të duelit 4 herë kampionin e hungarez Fusek Frenc[9]. Ndeshja që u prit më shumë interes  dhe me të drejtë tërhoqi vëmendjen e sportashsëve tanë të zjarrë, ishte  ajo e peshës se rendë mes kampionit të Botës Guriç Gjergji, mjeshtër i madh internacional 15 herë kampion i kombëtar  me 85 përfaqsime nderkombëtare me fanellën hungareze dhe kampionit tonë të ri Mirash Vukasani.

Guriç ishte një nder më të mëdhenjët e racës së kampioneve, dy metrosh, mbi njëqind  kilogram ,shapatullgjërë, me muskuj të rrumbullakët. Gjarpër që mblidhej e përdridhej, që sulmonte dhe trëhiqej një mundës tek i cili ishin mishëruar natyrshëm forca e guximi, kurse inteligjenca dhe teknika spektakolare  e kishin shënderruar  një një luan“vrasës” për kundërshtarët në tapet.

Për një kalorës të ri të talentuar ndeshja me një gjeneral të pamposhtur, mund të rezultonte më së shumti si fatalitet por edhe si mbarsi.Vuksani pa asnjë përvojë nderkombëtare ishte i “denuar”  të dilte në fushën e “taksiratit” në  në ndeshjen e tij të parë, të përbadhej më një “përbindësh” që  kundërshtarët pasi i shtryllte si limoni i “varroste”mbi tapet.

Mundësi ynë i ri i fuqishëm si arusha e maleve tona me trup të shkëlqyshëm, me qetësi shembullore, durim klasik, trimeri të patundur, me levizje të matura filloi të luante si i barabartë më një kampion bote (15 kg më i rëndë) për herë të parë në historinë e mundjes shqiptare.

“Qyshë në fillim sportdashsit patën rastin të shohin një ndeshje mjaft të fortë nga të dy mundësit”- nënvizonte “Sporti Popullor” organi i vetëm sportiv i kohës[10]. Trajneri simbol  Ali Kastrati në prag të takimit  e urdhëroi Mirashin të pinte 4 kilogram kos për të zbutur disi diferencën e thellë në peshë me kundershtarin.

Mirash Vuksani  dhe disa kampionë të tjerë të atyre viteve për respekt të fanellës, kanë sakrifikuar duke  luajtur në disa pesha, gjë që nuk ndodh me mundsit e sotëm dekleron shefi i Klubit Sportiv “Vllaznia “Gëzim Mema. “Vetëm një Mirash Vuksan në ato vite mund të guxonte të përbadhej me një kampion bote afërsisht dy “kat” më lart se pesha optimale e tij[11]. Duke kujtuar atë ngjarje Mirashi thotë:”Profesori më këshilloi  të ruaja qetësinë, të luaja me kujdes pa u ngutur, të ruhesha shumë nga dredhitë e humgarezit, pasi Guriç ishte më i rezikshëm  në kundërkapje se sa në kapje direkte”[12].

Guriç nuk mendonte  asgjë tjetër veç fitorës, të cilën  synonte ta ralizonte me tuç dhe mundësisht  brënda disa sekondash, prandaj dueli trimëror filloi i ashpër, pa as një gjurmë përtacie, kurrfarë apatie vetëm lodër e urtë pa shumë ngutje me monovrime , energjike më kapje dhe kundërkapje të fuqishme, mbrojtje të fortë dhe aktive gjatë përplasjeve të pamëshirshme duke dhuruar një lojë të cilën mund ta bëjnë vetëm mundësit e lindur e të stervituar shkëlqyshëm si ata.

Raundi i parë katër minutësh qe shumë i ekulibruar Mirashi ynë në as një rast, as nuk u lëkund, as nuk shfaqi inferioritet, duke e bindur hungarezin se kishte të bënte më një kockë që nuk kaperdihej lehtë, madje  përkundrazi në fund të raundit të parë dhe gjatë gjithë raundit të dytë partizanasi  e mbajti kundërshtarin në një trysni kapjesh të njëpasnjëshme, duke e vënë tre herë në pozitë tepër vështirë dhe vetëm falë teknikës së lartë dhe përvojës së madhe hungarezi dinak arriti t’i shpëtonte tuçit.

Në mesin e raundit të  dytë Mirashi teton  të ralizojë kapjen e tij të dëshiruar duke e mbërthyer Guriç për beli, por kampioni i botës falë refleksit të mënjëhershm i’u shmang kapjes ballore të kundërshtarit, që e mëbetheu prirtazi dhe ndonëse e lëshoi furishëm mbi dyshek nuk ralizoi tuçin pasi hungarezi rrëshqiti si ngjala nga kthetrat e pa mëshirshme të shqiptarit.

Mirashi kaloi në epërsi duke e hedhur tre herë rradhazi për tokë, por i nxitur nga pasioni për fitore me tuç,  gjaknxehtësia në çastin e duhur, mangësia në finalizimin e kapjes, bëri që të mos e fitonte ndeshjen. Nga bashkkombasi i kampionit botror, Shmashosh Pol gjyqtarë nderkombëtar koha e luftimit në këmbë  u vlersua e barabartë, gjykim i kontestuar qoftë nga publiku, qoftë edhe nga kampioni ynë i cili edhe sot e kësaj dite është i vetëdishëm së në dy raundet e luftës në këmbë pati eprsi të dukshme ndaj gjigandit hungarez.

Në raundin e luftimit për tokë Guriç duke përfituar nga pesha përvoja e madhe në duele nderkombtare dhe përgatitja tekniko -taktike më e lartë, arriti të siguronte epersinë minimale me pikë për t’u shpallur fituesi i atij dueli historik të paharruar.

Kampioni botror i peshës supër të rëndë i befasuar nga qëndresa burrërore e djaloshit të ri shqiptar u ndije dyfish i lumturuar, së pari që shpëtoi pa u turpëruar(nga kthetrat e Mirashit që kërkote tuçin) dhe së dyti që i arriti ta fitonte ndeshjen qoftë edhe minimalisht vetëm me pikë.

Guriç  si kampion i madh e përgëzoi mundsin tonë jo vetëm thjeshtë  me një shtërngim dore, por në mënyrë shumë kalorsiake menjëherë pas ndeshjes do të dekleronte: “Kundërshtari im i sotëm (Mirash Vuksani) është mundësi më i fuqishëm që jam ndeshur e kam parë ndonjë herë”[13]!

Ky ballafaqim nderkombtar i Partizanit, fidanishtës së kampionvë tanë të mundjes, tregoi më së miri se talentet  e mundjes nuk mungonin, mundësit tanë manifestuan vullnet, forcë shkathtësi dhe vendosshmeri madje edhe aventureske për fitore, cilsi këto mjaft të larta por jo të mjaftueshme për një mundje profesioniste.

Ky takim për mundsit tonë  qe takimi i parë nderkombëtar, Mirash Vuksani edhe pse humbi,  prezentoi në shkallën më të lartë vullnetin, forcën, vëndosmërinë dhe pjekurinë teknike të mundjes amatore shqiptare, së cilës i mungonte një traditë e mirfilltë akademike. I mungonte përvoja dhe mbi të gjitha vizioni për t’u hapur dhe ballafaquar me shkollat e verteta  europiane botrore të këtij sporti, që shqiptari e ka në gen.

Vitet e vetëizolimit total të Shqipërisë, rezultuan fatale  për kampionë të tillë si Mirash Vukasani, Luigj Doda, Islam Balia, Stefan Gjenerali, Eljaz Ahmeti, Iljaz Guri, Nikollë Grima, Abedin Lame, Naim Pepa etj të cilët ndonëse bënë histori në mundjen tonë, nuk patën fat të debutonin në kompeticione eurpiane e botrore   dhe për rrejedhojë Shqipëria humbi shancin e  mirë  që  të kishte kompionët e vet nderkombëtarë të padiskutushëm në këtë sport.

Nga viti 1960  deri më 1965 Mirash Vuksani ka  veshur fanellën e kuqe të  Partizanit, duke fituar rradhazi trofetë e çdo viti. Gjeneral Petrit Dume Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë i njohur si tifozi numër një i Partizanit, ka qënë fans përsonal i Mirash Vuksanit, bëmat e të cilit ia kishin rrëfyer me krenari vartësit të cilët e rrekrutuan për Partizanin. Gjenerali luante basketboll, voleiboll dhe bënte gjimnastikë, ai  këtë rit e ralizonte rregullisht  çdo mëngjes  dhe pothuaj as një herë nuk harronte të pyste ku e kam malokun tim[14].

Kryegjenerali i ushtrisë do të urdhëronte që maloku edhe pas sherbimit ushtarak të mbetej detyrimisht si “As “ i pazëvëndësushëm i Partizanit. Që më 22 shkurt të vitit 1964 Mirash Vuksani merr titullin “Mjeshtër Sporti” duke qënë nga të parët mundës të vëndit tonë që nderohej me këtë titull të lartë sportiv[15].

Djersitët dhe i jep gjithçka nga vetja për ekipin e Partizanit por mardhëniet e tij me këtë klub kanë qënë gjithnjë problematike, deri sa rebelohet ndaj intrigave duke u “arratisur” në mënyrë spektakolare në vëndlindje. I zhgënjyer, madje duke mënduar t’i thoshte lamtumirë sportit, por me këshillimin e miqve ndërron mendje dhe bëhet pjesë e Vllaznisë së tij të dashur e cila e pret me krahë  hapur në gjirin e saj.

Me të ardhur në Shkodër në vitin 1966, Vukasani do të hakmerrej ndaj rivalve të Partizanit duke i dhuruar Vllaznisë trofeun e kampionit individual dhe  atë të Kupës së Republikës. ”Me 16-18 qershor 1966 në qytetin e Kukësit u zhvilluan ndeshjet e takimit individual midis mundësve më të mirë të vendit…Në peshën e mesme dhe gjysëm të rëndë më të fortë u treguan Mirash Vuksani, Islam Balia dhe Ymer Gruda”[16].

Në mënyrën më të cunguar pa kripë dhe asnjë emocion  mbreslënës gazetaresk, gazeta 4 faqeshe “Sporti Popullor”, jep vetëm një informacion të thatë për zhvillimin e kampionatit kombëtar të mundjes, praktikë diskriminuse që vazhdon për dekata të tëra, duke e lënë këtë sport me traditë shumë të pasur pa një memoristikë të vertetë në mëshirën e disa statistikave të korrespondetëve vullnetar që në shumë raste janë treguar aq të kursyer sa nuk kamë shkruar të plotë as emrin e mbiemrin e mundsve kampion.

Në kapionatin kombëtar në vijim, me 16 nëntor të vitit 1967 në Pallatin e Sportit Partizani  pas 1 minuti e 53 sekondash balsaomsë me një tuç të mrekullushëm gurrçin Rexhep Hakajn e Lokomotivës, një ditë më pas shkërmoq si era stuhishme lisin hormoç Nuh Murselin e Përparimit, ditën e tretë më “elefantin” Islam Balia ndahen paqësisht me një “remi “ të çuditshëm pasi me sa duket as njeri as tjetri kollos nuk rrezikuan  t’i hynin një lufte “vrase” njeri me tjetrin.

20 nëntori dita e fundit e kampionati kishte rezervuar krendeshjen e dy mjeshtrve të shquar Eljaz Hameti i Partizanit deri atëherë dy herë kampjon kombëtar dhe despotit shkodran Mirash Vukasni i pangopur me fitore dhe trofe. Një ndeshje interesante dhe shumë emocionuse mes rivalësh shumë  të denjë nënvizon “Sporti Popullor” Si ujqër me përvojë fillimisht nuk u nxituan me rrebe të pa përmbajtuara ndaj njeri tjetrit duke demostruar rivalitet gritë dhe ekulibër forcash .

Duke kujtuar këtë ndeshje Vukasni shprehet me shumë konsideratë për sfidantin e tij: ”Islam Balia ishte një kampion shumë i qëndrushëm, agresiv dhe zotronte një teknikë të admirushme . Ai  për 4 minuta luftoi duke mos më lënë as një shteg të lirë diversioni për fitore”[17].

Vuksani në raundin e dytë duke parë potencën kërcënuse të Balisë vëndosi të karikonte të gjitha bateritë në manovrën e vet sulmuese që të shpejtonte raskapijen e rivalit. Inkursjonet trimërore, monovrat e shkathta tekniko- taktike të tij i imponuan kundërshtarit të luftonte me një stil dhe mënyrë të paevitushme.

Mirashi ishte në mundës i tillë i zoti që edhe në rrethana të vështira dinte të ndryshonte rrjedhën e dyluftimimit në fovorin e tij, ai u hodh vrudhshëm në sulm duke e mbajtur Balinë në një pozicion të vështirë mbrojteje dhe në minutin e  pestë ralizon kapjen e vet të preferuar.

Përpjekja e dëshpëruar e Balisë nuk mudi të evitonte tuçin e Vukasanit  i cili në kapje të tilla nuk “falte” as Mujin dhe Halilin. Më këtë fitore u shpall kompion kombëtar për peshën e mesme[18]. Sukseset e Mirashit në  tapet vazhdojnë pa nderprerje edhe në vitet 1968 e 1969, duke qënë gjithnjë në podin e fitimtari apsolut.

Ruzhdi Kola, Hysen Ouni të Partizanit, Alsan Lame Lokomotiva, Ramë Kazani, Hasan Purova, Islam Balia të Dinoamos, Gjon Leka dhe Mirash Vuksani të Vllaznisë janë kampionet e viti 1969[19].Në vitin 1970 Kampionati komëbtarë ekipor  i Mundjes Klasike qe një garë e gjatë 18 javëshe me dy periudha pranverë dhe vjeshtë, me pjesmarrjën e ekipeve të Vllaznisë, Partizanit, 17 Nëntorit, Dinamos, Studentit, Lokomotivës ,Korabit dhe Traktorit.

Pas një lufte të gjatë dhe rivaliteti  Partizani dhe Vllaznia do të ndanin vendin e parë e dhe të dytë. Mirash Vuksani ishte një nga pikat më të forta të skuadrës shkodrane i cili u dadhua gjatë gjithë kampionatit  për ndeshje të një cilsie të lartë teknike së bashku me B.Likën, S.Gjeneralin të Partizanit, Asip Omurin, B.Dizdari, L.Stefa të 17 Nëntorit, K.Agolli e Ram Kazani të Dinamos etj.

Në vitet 1971 – 72 Mirashi me shokët e vet të plotfuqishëm  Ymer Gruda, Ilaz Guri, Seit Fishta etj  lufton fort për të rrezuar hegjemoninë e gjithanshme të Partizanit në këtë sport, por pa ia arritur më tej se në vëndin tretë (1971) e të dytë me (1972)[20].

Në vitin 1973 Mirash Vuksani në takimin kombëtar të zhvillara në Pollatin e sportit Partizani me datat 4-5 prill rifiton titullin e kampionit, madje  shquhet duke qëndruar në elitën e mundësve më të mirë sëbashku me N. Pepën e I. Gurin e Vllaznisë, Xh.Xhibakun Studentit, H Ukën S.Nikaolla, V.Mukën  dhe N.Spahiun e Partizanit[21].

Vitet kalonin dhe froni i strategut të vjetër kërrcënohej dita ditës nga sulmet ambicioze të hijerkëve të ri, që ishin në kulmin e lulëzimit të tyre dhe kërkonin të konfirmoheshi me çdo kusht. Me 17 tetor të vitit 1975 dreri “plak” humbet luftën për titull pas atij tuçi të hidhur e të papritur me Harilla Barën e Apolonisë[22].

Është ligjësi,  kampionët ashtu siç ngrihen edhe  do rrezohen, ngadhnyesit edhe do të humbasin, nga ky rregull i pashkruar nuk mund të bënte përjashtim  dukagjinasi i çeliktë, që në biografinë e tij sportive humbjet i pati aq të pakta sa nuk e kapëm kuotën dyshifrore.

Mirashi edhe në përëndim të karrjerës së tij sportive mbeti një “senator” i përjetëshëm, shembull sakrifice dhe korrktësie gjithnjë i dobishëm e frymëzues për më të rinjët të cilëve u qëndronte pranë dhe u jepte përvojë dhe kurajo. Mirash Vuksani ka qënë një sportist serioz ,shumë i matur, modest ndoshta më tepër seç duhet.

Një burrë fisnik që edhe sot në moshën e tretë skuqet si adoleshent i drujatur kur dikush kërkon t’i nxjerrë një fjalë me grep pasi as një herë  nuk pranon të flasë për vetën vet. Tek Vuksani nuk zuri vënd diliri i lavdisë së njeriut të plotfuqishëm, as një herë në jetë nuk ushtroi dhunë fizike ndaj askujt.

Tek Vuksani nuk kishin vënd huqet e kompionvë problematikë, ai edhe në tapet ishte shumë dinjitoz, kurrë nuk u soll  në mënyrë propotente ndaj sfidantëve dhe më të të rinjve, ndryshe nga shumë të tjerë, kundërshtarët jo shumë të fortë kurrë nuk i  sfidoi në mënyrë masakruese.

“Pasha zotin më dhimbën me i shtrydhë, është gjynah me i sakatue -thoshte Mirashi për shumë mundës, sidomos të rinjë kur ndeshej me ta”[23]. Ka qënë burrërorë i patundur ndaj xhestikulacioneve stimuluse edhe lojës së rrezikshme anti-sportive që aplikonin disa mundës si mjet në funksion të qellimit.

Asip Omuri i Tiranës dhe Partizanit ka qënë një mundës shumë i fuqishëm, impulsiv i papërmbajtur, kafshues efshorë   si çakalli më kapjet e tij të rrezikshme kishte tramatizuar disa mundës të rinjë me thyerje kockash dhe nxjerrje gjymtyrësh nga vëndi, prandaj  i kishte dalë nami si njeriu sakatues i tapeti dhe për rrjedhojë, askush nuk dëshironte të matej me të.

Mirash Vuksani, Asip  Omurit iu përgjigj  me të njëjtën monedhë duke i dhënë një leksion të mirë për ta kujtuar gjithë jetën. Përplasja demave qe aq inatçare sa u duk qartë se do të kishte thyerje brirësh në arenë. Me një të mberthyer spektakolare me duar rrokazi pas belit Mirashi, shkarkoi të gjitha valvulat e forcës mbi kundërshtarin, e hodhi fluturim me katapultë për mbi kokë dhe Omuri i“pralizuar” në mënyrë akute me tre brinjë të thyera nga tapeti përfundoi në urgjencën e spitalit[24]. 

Sundimtari ynë  i gjithpushteshëm i tapetit, njeriu që kishte fituar të gjitha trofetë  kombëtare për dhjetë vjet resht që nga 15 korriku i vitit 1961, kur u ndesh për herë të parë me kampionin botror Guriç Gjergji  deri me 15 maj 1971 nuk pati as një ballafaqim tjetër nderkombtarë. Ardhja e ekipit kombtar “B” të Rumanisë për një turne miqësorë në Tiranë që një “mrekulli” e papritur që Mirashit do t’i rikujtonte me nostalgji  motin e shkuar.

Ekipi përfaqsues romun kishte  në gjirin e vet kampion me përvojë të njohur edhe në arenën nderkombtare si Meush Marian, Menea Nikolae etj. Në pallatin e sportit në Tiranë Ekipi ynë “Partizani” i përforcuar me mundësit më të mirë të kampionatit tonë kambtarë si Naim Pepa, Iljaz Guri, Mirash Vuksani etj ballafaqohet me ekipin romun duke korrur një nga  fitoret  më të rëndësishme, të parën e ketij lloji në një takim nderkombtarë, Hysen, Omi, Iljaz Guri, në peshën 90 kg dhe Naim Pepa fituan me pikë fituan me kundershtarët e tyre.

Manea Nikolae fitoi me tuç ndaj mundësit tonë të shquar Kerka, kurse  kampioni i madh Meiush Marian dhe Mirash Vuksani do të ndesheshin “fyçkë për fyçkë “ si dy elefantë të vjetër duke dhuruar një ndeshje të papërseritshme, të mbushur plot me emocione drithëruse për spektatorin e pranishëm rreth e qark “arenës”luftarake.

Kur Marian doli në tapet, spektatorët heshtën për një moment. Ai kishte pamjen e një gladiatori të egër gjithë lesh të zi me muskulaturë të çekiltë me peshë mbi 100 kilogram. Mirashi i qetë e vështroi gjithë kureshtje, ndërsa ai iu përgjigj me një ngërdheshje gjithë inatë, zbatuan ritualin e shtërngimit të duarve me njeri – tjetrin dhe kur putrat e tyre u mbërthyen pëdhëmbë për pëllëmbë Mirashi më një zë të fuqishëm, që e dëgjoi po thuaj gjithë salla,i bëri mysafirit një “provokacion” duke i thënë: Si guxon të matesh me mua! Unë do të thyej brinjët!

Në ketë moment spektatori  shpërthyu në ovacionet  të fuqishme përshëndetëse :Fitore, fitore, Vuksani, Vuksani! Marian kërciti dhëmbet gjithë inatë, fëtyra iu shtembërua mërmëriti dhe  pa e përceptuar përmbajtjën e batutës e kuptoi   më së miri mesazhin provakativ të saj, por si prefesionist si ishte u përqëndrua tersishtit tek dueli që sapo kishte nisur.

Në fillim të takimit mundësit vetëm studionin njeri-tjetrin, përplasjet e putrave, sulmet mashtruse ishin shumë interesante. Meush Marjan luante gjithë finesë, si fitues i disa   dhjetra  ndeshjeve. Ai nuk i harxhonte forcat kot, sulmonte gradualisht duke e shtuar agresivitetin me kalimin e minutave, çfarë e bënte të dadhohej edhe për aftësinë e sulmeve të panderprera duke mos e lënë kundershtarin të mbushej me frymë.

Nga ana tjetër Mirashi mendonte vetëm për detyrën që duhej të kryente si një qendrestarë i aftë, dinte të përbadhonte kundërshtarët më të fortë edhe për ndeshje të gjata. Pas një raundi  të barzpeshuar, i dyti  fillon furishëm nga Marian i cili versulet si “kanibal” duke lëshuar një batre kapjesh në drejtim të Mirashit, i cili u duk se sikur u zu në befasi, kur u terhoq drejt cepit ansor të dyshekut, duke përdorur gjithë mjeshtrinë e tij për të prapsur shigjetat goditse të rivalit.

Marian e me një të kërcyer të fuqishme me të djathtën e tij  paralizuese  tenton  të mberthejë për qafe mundësin tonë, por ky terhiqet paksa prapa, nuhat shpejt mossinkronizimin e duhur të kapjes me distancën të kundërshtarit, dhe duke pasur forcën, armën më efikase e përzë romunin me të dyja duart poshtë sqetullave në pjesën fundoret, ku brijnët bashkohen me shtyllën veterbrale.

Kush binte kështu në duart e Mirashit nuk merrete   fyrmë tjetër përveç çfarë kishte në mushkeri pa puthur tapetin. Ndeshja mbaroi kampioni romun Marian u shkapërderdh në tuç si gaviçit kur i dalin rrathet.

Mirashi pas tre ditësh do ta bënte përseri Meiush Marjan të puthte tokën i dëshpëruar në tapetin e qytetit të Shkodrës duke marrë urimet dhe përshëndetjet sportdashësve të adhuruar shkodranë.  Mundsit romun  takimin e tretë e zhvilluan në qytetin e Durrsit dhe përbadhë Mirashit do të vihej kampioni Manea Nikolae, mundës i peshës supër të rëndë, i famshëm për shkathtësinë, brutalitetin, dinakrinë dhe etjën për fitore.

Nikolae i kishte fituar me tuç të pastër në takimin Tiranës dhe të Shkodrës ndaj  mundësve tonë, prandaj duke ia njohur mirë cilësitë dhe rrezikshmerinë që paraqiste trajneri ynë  Ali Kastrati në qytetin e Durrsit e këshilloi Mirashin të kishte shumë kujdes.

Duke kujtuar motin e shkuar Mirashi thotë: “Nuk më hiqet nga mëndja ai prag takim, kur profesor Kastrati më tha; “Mirash mundohu së paku të marrish një barazim me pikë; unë  qesha duke thënë ;more profesoar a nuk lejohet të fitoj” [25]! Mirashi hyri në dyshekun e pedanës  me mendjen të ndarë vetëm për fitore  (si Pati tek  Bisha e Terbuar e Xhek Londonit) Kampionët fillimisht për reth 30 sekonda vetëm sa i vinë rrotull njëri- tjetrit me krahë të mbërthyer në brryla, por shumë shpejt pakti “mos sulmimit” mori fund.

Nikolae i ndeshur disa herë me mundës të mëdhenj, i ndjekur nga fati i fitimtarit në ndeshje të mëdha, gjithë prpotencë, entuziazëm  dhe kapadaillek u hodh në sulm që në minutën e parë duke bërë disa kapje me zhytje nën dorën e kundërshtarit të vet por të paralizuara me kujdes. Mirashi që dinte gjithmonë ti dilte zot vetës, si zakonisht ruhej të mos ngutej, kishte një qëndresë fenomenale dhe për asnjë çast nuk qëndroi në pasivitet, kundersulmoi vazhdimisht.

Minutë pas minute, kaloi në epërsi duke i bllokuar kundërshtarit të dy krahët dhe me një monovër shumë të shkathët e ngjeshi për vete aq sa gjigandit Nikolae iu duk vetja si foshnje e pafuqishme përballë kthetrave impulsive të Mirashit i cili  u dhuroi spektatorve një shfaqje të mrekullushme, pika kulmore e së cilës ishte kur mjeshtri i shquar romun u shemb si si dem i vrarë me shpatulla në tapet.

Vetëm katër sfida  nderkombëtare gjatë  një karrierë të shëndritshme sportive 20 vjeçare, janë fare pak për një mjeshtër të shquar, të cilin bunkerizimi politik i vendit nuk e lejoi të fluturonte në majat më të larta  europiane të ketij sporti. Fitoret e famshme me mundsit romunm mbetën historike në panteonin e mundjes klasike shqiptare, kujtimi më i bukur dhe ngushllimi i vetëm  për ambiciet e tij në sferën nderkombtare.

Mirash Vuksani mbretëroi gjatë dhe në mënyrë absolute në mundjen klasike shqiptare, duke mbetur shembull frymëzues për gjenerata kampionësh në të ardhmen. Ligjësitë dialektike të moshës e spostuan fillimisht nga froni, pastaj edhe nga tapeti, por Mirash Vuksani mbetet mundësi më i forti i gardës së vjetër, fitimtar në qindra mejdane, kampioni i pathyshëm, më trimi, më luftaraku, një kockë e fortë që nuk e kaperdiste dot njeri.

Në formimin e tij si kampion kanë meritën dhe vulën e tyre profesorët  e shquar të tapetit shqiptar Ali Kastrati i cili e peshkoi e rriti dhe formoi si kampion, Qazim Elbasani që e udhëhoqi urtësisht e bujshëm drejt majave më të larta dhe Eljaz Ahmeti dhe  Naim Pepa  që i siguruan  jetëgjatësinë maksimale e dinjitoze në tapet.

“Mjeshtri i Merituar” i Sportit i vlersuar nga Klubi Shumsportës Vllaznia si “Mundësi i Shekullit”Mirash Vuksani ëshë gjitashtu themeluesi i dinastisë së despotve dukagjinas të tapetit kurorën e të cilit e mbajtën më sukses për dekada të tera  Mark Vata, Dedë Bregu, Ndoc Çokaj Ndue Njemza etj.

KANË THËNË PËR KAMPIONIN ABSOLUT:

“Kundërshtari im Mirash Vuksani ishte mundësi më i fuqishëm që jam ndeshur e kam parë ndonjëherë”!

Guriç Gjergji : Kampion i Botës i peshës super të rëndë.

“Mirash Vuksani  ka qënë  kampion arushan ,nga më të mëdhenjtë e të gjitha kohrave i mundjes sonë klasike”.

Profesor Ylli Agovi Trajner Kombëtar i mundjes klasike.

“Në kohën e artë të shpërthimit të tij çdo kundërsharë ishte i lumtur po t’i shpëtonte tuçit kur badhafaqohej me Mirashin. Si tajner i tij vlersoj shumë karakterim, forcën dhe ambicjen që kishte për fitore. Mirash Vuksanit i kanë munguar  kushtet e stërvitjes  moderne, trajtimi ekonomik, rivalët e denjë, badhafaqimi me  të huajt për tu bërë një kampion nderkombëtarë”.

Eljaz Ahmeti “Mjeshtër Sporti” ish- trajer i Mirash Vuksanit.

“I mrekullushëm, këmngulës,  i aftë për kapje primare të cilat i përfundonte me tuç, qëndrestar i vëndosur që kalonte menjeherë në kundërkapje shkatrruese për kundërshtarin”.

Ali Kastrati “Mjeshtër i Merituar”ish- trajner i kampionit

“Mirash Vuksani është një kampion i pazëvëndësushëm i mundjes klasike shqiptare. Ai derdhi shumë djerëse dhe i dha shumë trofe  qoftë “Partizanit”, qofë “Vllaznisë” me emrin e të cilit krenohen dy klubet historike të këtij sporti”.

Stefan Gjenerali “Mjeshtër i Merituar” ish-kampion absulut i Partizanit.

“Mundësi më popullor i niveleve të larta shumë i dashur për publikun ka hyrë në historinë e mundjes shqiptare si demi kuq i tapetit”.

Gëzim Mema Shef i Klubit Sportiv “Vllaznia”.

Përgatiti: Prelë MILANI