Bordi i Federatës Ndërkombëtare të Futbollit (IFAB) në mbledhjen e fundit ka miratuar disa rregulla të reja që do të hynë në fuqi nga sezoni i ardhshëm. Rregulli kryesor është ai që ka të bëjë me mbajtjen e topit nga portierët.

Sipas miratimit të ri, nëse portieri e mban topin për më shumë se 8 sekonda, arbitri do t’i japë goditje këndi ekipit kundërshtar.

Rregulli i ri për portierët do të zbatohet për herë të parë në Kupën e Botës për Klube që do të zhvillohet nga 15 qershori deri në 15 korrik, dhe më pas do të aplikohet në të gjitha garat e sezonit të ri 2025-2026.

Në mbledhjen e fundit, IFAB, miratoi dhe disa rregulla të reja për gjyqtarët e ndeshjes në lidhje me disa udhëzime të reja për pozicionimin e tyre gjatë ekzekutimit të penalltive.