Mirel Josa është një ndër trajnerët më të njohur dhe fitues të futbollit shqiptar. I ftuar në emisionin “Pressing” në ABC News, 57-vjeçari analizon dy takimet e Shqipërisë në Nations League, ndaj Kazakistanit dhe Lituanisë në transfertë, të dyja të mbyllura pa gola.

“Po flasim për dy ndeshjet e fundit, pashë përmirësim të strategjisë nga ndeshja e Kazakistanit me atë ndaj Lituanisë. Ekipi presoi shumë më lart ndaj Lituanisë, kishte edhe individualitete.

Broja kishte cilësi të tjera me Kazakistanin, por ishte më i dobët në lojë me Lituaninë. Mendoj se dy sulmuesit janë pika kryesore ku duhet të organizohet dhe përqendrohet loja e kombëtares.

Ishim superiore në kontrollin e topit, sidomos në ndeshjen e dytë. Rastet na dolën, gjynah që nuk finalizuam. Ndaj Kazakistanit pati njëfarë frike, nuk presoi e gjithë skuadra, por pati përmirësim te ndeshja e dytë“, deklaron Josa. /abcnews/