Tirana pret nesër Vllazninë kryesuese për ndeshjen e vlefshme në javën e 12-të të Kategorisë Superiore. Ish-trajneri i dy skuadrave analizon se si vijnë në këtë përballje bardheblutë dhe kuqeblutë, objektivat e secilës në këtë 90-minutësh, por edhe për pjesën tjetër të sezonit. Mirel Josa, në një intervistë për “Panorama Sport”, tregon edhe pikat nevralgjike të Vllaznisë, njësoj siç flet edhe për dobësitë që po kalon momentalisht Tirana.


Profesor, nesër luhet Tirana-Vllaznia. Si e prisni këtë përballje?

Unë e vlerësoj ecurinë që ka bërë deri më tani Vllaznia. Tirana po mundohet që të rikuperohet, por problemi është se barazimet në këtë kampionat nuk të bëjnë punë. Vllaznia do të vijë në Tiranë për të mos humbur. Ajo është një skuadër që ka krijuar një fizionomi loje dhe kërkon medoemos që të mbajë kreun. Tirana është një skuadër që ka probleme, duke pasur parasysh problemet e traumave që ka dhe probleme të tjera të cilat kanë bërë që të mos marrë rezultatet maksimale.

Prej vitesh s’ndodhte që shkodranët të ishin në krye me kaq diferencë. Ka një sekret për këtë?

Nuk ka sekret. Jo vetëm të Vllaznisë, por të asnjë skuadre. Vllaznia ka korrigjuar disa gabime të së shkuarës, duke filluar që nga mënyra e organizimit të skuadrës, mënyra si ka përzgjedhur stafin teknik dhe besimin që ato kanë te ky staf. Për të konkluduar, Vllazninë do ta përgëzoja për mënyrën si është organizuar, bashkëpunimi i bashkisë me sponsorin e ri, plus përzgjedhja e lojtarëve gjatë kësaj periudhe.

Josa i gradoni pretendente për titullin?

Ne jemi mësuar që përpara fillimit të çdo kampionati të flasim për ekipe kampione që pa nisur, thjesht bazuar në merkaton që bëjnë. Por tani është ndryshe. Sipas meje, me përqindjet që u takon, unë i vlerësoj skuadrat në bazë të klasifikimit.

Sipas jush sa % do t’i jepnit momentalisht kësaj Vllaznie?

Të paktën 51%, përderisa është në vend të parë. Nuk ka mundësi që një njeri që është marrë me futbollin, të mos i japë përparësi Vllaznisë, duke qenë 6 pikë para vendit të dytë, Partizanit.

Sikur të ishit trajneri kundërshtar, cilat janë pikat e forta të Vllaznisë që do t’i kishit kujdes?

Në futboll nuk flitet me “sikur unë të isha”… Vllaznia ka një skuadër e cila, për mendimin tim ka disa probleme në mesfushë. Nuk do të thotë që diferenca me skuadra të tjera është e madhe, nuk është e tillë. Ka stabilizuar qendrën e mbrojtjes dhe kërkon që të luajë mirë me topin, të organizohet mirë sidomos kur del në sulm. Duke filluar që nga mbrojtja me një dalje graduale. Nuk mund të themi që ka lojtarë të shpejtë nga mesfusha e përpara. Çedon pak në dyluftimet, në lojën e fortë, në të dy repartet si në mbrojtje edhe në mesfushë. Kjo skuadër, e cila është e bukur për t’u parë, por duhet të jetë edhe e mirë për të marrë atë që kërkon, më cinike, më produktive.

Si mund ta përballojë Tirana me këtë organikë që ka?

Unë nuk i di tamam problemet që ka Tirana. Nga sa shohim nga java në javë, skuadra ka shumë ndryshime për shkak të lojtarëve që mungojnë, problemet që shfaqen ndeshje pas ndeshjeje, referuar edhe Koronavirusit por edhe kalendarit kaq të ngjeshur, ku të gjitha kanë problemet e tyre. Unë nuk mund ta them se si mund ta përballojë, pasi të dy trajnerët kanë filozofinë e vet dhe strategjinë e tyre me të cilën do të përgjigjen. E them këtë sepse të gjithë ne nga jashtë mund të japim mend shumë lehtë, ndërsa ato që e prekin ekipin çdo ditë, mund të vendosin shumë mirë se si do ta përballojnë takimin.

Tirana me 3 fitore, 6 barazime, 2 humbje. Pse kjo ecuri e kampionëve?

Unë nuk mund të flas shumë për Tiranën, në momentin që kam qenë vetë pjesë e saj më përpara. E përsëris, nga jashtë njerëzit flasin shumë lirshëm dhe duhet të jesh vetë brenda që t’i prekësh problemet, nisur nga kontingjenti që ke në dispozicion deri në marrëdhënien që kanë sidomos stafet drejtues dhe stafi teknik.


A gaboi Tirana me kaq shumë ndryshime që bëri dhe a ju duket se po përsërit të njëjtat që bëri Partizani?

Për Partizanin e kemi thënë edhe më përpara. Partizani bëri gabimet e veta, siç po rezultojnë. Nuk mendoj se Tirana bëri shumë ndryshime.

Largoi Ngo, Doka, Kobina ashtu si edhe trajnerin Egbo…

Na ka mbetur mendja te Ngo. Dakord, Tirana duhet të ishte shumë e kujdesshme në lëvizjen e lojtarëve. Mirëpo, s’mund të themi që një Ngo e bëri Tiranën vjet. Duhet të jetë e qartë kjo gjë, se duket që na ka mbetur pllaka gramafonit te Ngo. Nuk është problemi i Ngosë te Tirana.

Po cili është atëherë?

Në momentin që Tirana kishte krijuar një fizionomi loje, problemi ishte se si do ta zëvendësonte atë kur u vendos që ai nuk do të vazhdonte më në ekip. Ngo, qoftë Doka që iku, apo edhe Kobina që iku tani me vonesë. Muça gjithashtu. Për Tiranan, lindi detyra që duhet t’i zëvendësonte këto lojtarë në masën 100%, sepse në fund të fundit edhe anën ekonomike e ka pasur.

Ju thoni që Tiranën nuk e bëri Ngoja, por në sezonin e titullit ai shënoi 13 gola dhe dha 16 asiste. Jo pak apo jo?

Dakord… Është shumë normale që të mos e hedhë dot poshtë askush atë që ka dhënë lojtari gjatë viteve që qëndroi në klub apo edhe gjatë sezonit të titullit. Shikoni, për një arsye apo një tjetër të cilën unë nuk kam qenë dhe nuk jam brenda ekipit për ta shpjeguar, u vendos që ai të mos vijojë më që të jetë pjesë e ekipit.

Tirana duhet vetëm që të merrte një lojtar tjetër që të zëvendësonte atë, Ngonë, Dokën apo cilindo me lojtarë që të ishin të paktën në nivelin e këtyre që ikën. S’duhet të mbetemi te çështja çfarë ka bërë Ngo vjet dhe të ndërtonte ekipin sivjet. Jo! Thjesht, të merrte një sulmues tjetër me rendiment në ekipet që ka luajtur. Kaq. Pastaj e di vetë trajneri se si do ta ndërtojë fazën sulmuese apo atë mbrojtëse.

Gjykoni se afrimi i një lojtari si Ferhan Hasani, mund të bëjë punë në këtë situatë të ekipit?

Unë e njoh shumë mirë Hasanin si futbollist. E kam parë me Shkëndijën, e kam ndjekur edhe në miqësore kur kemi qenë në përgatitore në Turqi, ku kam parë të gjithë ekipin e Shkëndijës. Hasani është një gjysmësulmues. Ta marrim të mirëqenë që vjen te Tirana dhe lind problemi se si stafi teknik do të gjejë pozicionet në fushë. Unë mendoj se ai është një lojtar i vlefshëm, nuk ia heq njeri meritat.

Ama, nuk është pykë e parë, nuk është sulmues i parë. Këtë duhet ta kemi të gjithë të qartë. Hasani e ka të vështirë të spostohet që të luajë në krah, ndaj për më të mirën, ai duhet të luajë në rolin e tij dhe lind problemi i spostimit të Torasës më pas, pasi janë lojtarë me karakteristika të ngjashme. Trajneri dhe stafi mund të ndërtojnë një skemë tjetër që të gjithë të jenë në formacion për të mos përplasur rolin e Hasanit dhe Torasës.

Ardian Mema, është shprehur se Tirana nuk po sillet si ekipi kampion. Por vetëm të tjerat po e shohin si të tillë…

Nuk mund ta konsiderosh të tillë. Ardi e ka pasur skuadrën në kushte të tjera. Madje, Ardi e kishte ndërtuar vetë këtë skuadër. Unë mendoj se kur ikën një trajner dhe kur vjen një tjetër, nuk duhet të qëndrojmë me tek ajo se çfarë ka bërë i mëparshmi. Kur merr përgjegjësinë për një ekip, i shuan fare të mëparshmet dhe ke idetë e tua për mënyrën si do luajë ekipi. Nuk është problemi se s’po sillet e tillë, por çështja është që ka pasur probleme që në kupat e Europës. Sidomos pas Crvena Zvezdës.


Josa, e shihni të mundur që Tirana të rifutet në luftë për titullin apo do ta shohim të mjaftohet me luftën për Europën?

Sipas meje, Tirana duhet të synojë një herë për Europën. Pastaj dalëngadalë, siç i erdhi vjet shansi për të pretenduar për titullin… Duke pasur parasysh edhe rikuperimet dhe plotësimin e skuadrës. Pastaj do të shikojmë se si do të vijojnë. Unë uroj që Tirana do të ketë mundësi që të sjellë lojtarë. Pastaj, gjërat e tjera shkojnë e vijnë.


Çfarë ju ka bërë përshtypje në këto 11 javë të luajtura?

Përshtypje më ka bërë impenjimi i të gjithë stafeve dhe i lojtarëve për ngarkesën e madhe që kanë pasur duke luajtur të mërkurën, të dielën, të mërkurën… Kjo ka qenë një sforco shumë e madhe. Ka qenë një eksperiencë e cila do të ndihmojë në të ardhmen që të bësh më të mirën me një ekip. E them këtë sepse ka qenë një skuadër pa fazë përgatitore, gjë shumë e rëndësishme për mbarëvajtjen e një skuadre. Skuadrat i kam parë aty ku unë mendoja më përpara.