Mirel Josa është padyshim një nga “mjeshtrat” e trajningut të futbollit shqiptar, por realisht te Vllaznia rezultatet dhe loja nuk kanë qenë ato që priteshin nga opinioni sportiv shkodran. Deri më tani, Josa në aventurën e tij të tretë si trajner i kuqebluve, ka në koleksion 22-takime.

Në këto 22-ndeshje, nënte janë fitore, pesë barazime dhe tetë humbje. Golavarazhi i skuadrës së Josës është 27:26. Kujtojmë këtu se, Josa është emëruar në krye të Vllaznisë në 15-maj të këtij viti.

Poashtu, kujtojmë që këtë sezon, Vllaznia është e gjashta në renditjen e Superiores me vetëm 19-pikë deri më tani. Skuadra e Josës ka shënuar vetëm 12-gola dhe ka pësuar 14-të tillë deri më tani në 14-javë të luajtura.

Kjo është një statistikë shumë domethënëse se skuadra e Vllaznisë këtë sezon po çalon dhe po “fut ujë” në çdo sektor. Jo më kot, kuqeblutë janë zhytur në krizë rezultatesh, me tre humbje rradhazi, dy prej tyre në kampionat, që e kanë zbritur në vendin e gjashtë të renditjes.

Megjithatë, pavarësisht këtyre fakteve, presidenti Alban Xhaferi duket se i ka dhënë të gjithë besimin dhe mbështetjen e tij trajnerit të njohur dhe me eksperiencë të Vllaznisë, Mirel Josa, në drejtimin e pankinës kuqeblu. Padyshim, synimi i tyre është përmbushja e objektivave sezonale në vazhdimësinë e Vllaznisë në Abissnet Superiore, por jo vetëm.
Maringlen ZHIVANI