Ndonëse ende nuk është gjetur trajneri i ri i Vllaznisë, ish-tekniku i kësaj skuadre duket se ka ende diçka për të thënë. Megjithatë, jo tani, edhe pse mund të ketë një ide se ia punuan pas krahëve. Ai siç duket e ka ndarë mendjen, që në ndonjë moment të caktuar, në të ardhmen, të flasë, por siç e thekson ai, pasi ekipi shkodran të jetë në pozita të shëndosha.
“Mendoj se nuk ka shumë nevojë për komente. Shkodra e di, besoj, pak a shumë, se si erdhi largimi im në këtë periudhë. Megjithatë unë do t’i uroja suksese Vllaznisë dhe siç e kam theksuar edhe ditën e fundit të largimit tim nga ky qytet, dua ta shoh sa më lart këtë ekip. Nuk ishte ecuria e dobët apo me oshilacione e ekipit, arsyet e largimit tim. Ato ishin thjesht pretekste. Arsyet e vërteta janë më lart dhe më larg, e që nuk janë arsye, por njerëz të ndryshëm i shfrytëzuan për qëllime siç deshën vetë. Megjithatë do të vijë moment për të folur për gjithçka, por pasi skuadra e Vllaznisë, të ketë kaluar këtë periudhë, aspak të mirë, të paktën psikologjike, që po kalon”, ka thënë ish-trajneri i Vllaznisë Mirel Josa, për www.shkodrasport.com .
Mejdan Zhivani