Mirel Josa do të rikthehet sërish në Shkodër. Ai, këtë rradhë, do të vijë për të luajtur në Kupën “Hysen Zmijani” për 60-vjetorin e lindjes së mjeshtrit të madh të futbollit shkodran.

Si për ironi të fatit, ish-trajneri i Vllaznisë do të rikthehet sërish aty ku drejtoi deri pak muaj më parë. Megjithatë, duhet thënë se rezultatet që prodhoi me ekipin kuqeblu nuk ishin aspak në favor të tij dhe prandaj u vendos edhe shkarkimi i Josës.

Në triangolaren mes tre ekipeve të veteranëve të Vllaznisë, Tiranës dhe Flamurtarit, që do luajnë në Kupën “Hysen Zmijani”, Josa do të mbajë veshur fanellën bardheblu, si një nga ish-futbollistët e brezit të Zmijanit, pra një nga emrat më të shquar të futbollit të vitevë ’80. Ky aktivitet do të organizohet nga Bashkia Shkodër dhe KF Vllaznia, pikërisht në këtë përvjetor të lindjes së këtij mjeshtri.

Padyshim që, kjo do të jetë diçka shumë interesante të shohim në fushën e lojës disa nga emrat e shquar të futbollit shqiptar të vitevë ’80. Ndërkohë, të ftuar do të jenë edhe të tjerë figura të njohura të futbollit nga e gjithë Shqipëria.
Maringlen ZHIVANI