Të analizosh Vllazn inë dhe Tiranën sot nuk është edhe aq e lehtë… Duhet ta bëjë dikush që e njeh jo vetëm futbollin, por edhe kulturën sportive të dy qyteteve, që ka jetuar me këto skuadra dhe do të ishte akoma më mirë nëse do të kishte punuar me to. Profili i duhur, të cilit “Panorama Sport” i beson një skaner paraprak të dy ekipeve, është Mirel Josa. I ka drejtuar të dyja skuadrat në karrierën e tij, ka lënë gjurmë aty dhe këtë sezon i ka ndjekur sistematikisht.
“Janë të paparashikueshme, por unë them se Tirana ka 60% shanse për t’ia dalë mbanë në Shkodër”, thotë trajneri i shquar për gazetën. Parashikimi i tij nuk është një hamendësim i momentit, por një analizë e detajuar e fakteve.
Josa, ç’ndjesi keni kur dëgjoni se do të luhet Vllaznia-Tirana?
Më kujton gjithnjë futbollin e bukur shqiptar. Edhe kur isha lojtar, sa herë që luanim me Vllazninë, perceptimi ishte që do të luhej një futboll i bukur. Do të ketë atmosferë, emocione dhe gjithnjë diçka për t’u komentuar.
Pse kështu?
Sepse janë dy skuadra të traditës, por të asaj tradite që të dyja luajnë futboll. Vllaznia ndër vite ka pasur personalitet dhe guxim për të luajtur hapur dhe bukur. Kjo e ka bërë gjithnjë të veçantë përballjen me të. Por duhet t’i njohim meritën edhe qytetit…
Në ç’kuptim?
Shkodranët e dashurojnë futbollin, por përveç kësaj, unë besoj se kanë qenë dhe mbeten tifozët më objektivë.
Mund të jeni pak më specifik rreth kësaj teme?
Shikoni, tifozët shkodranë janë më të vetëdijshmit. Ata ia njohin kapacitetin skuadrës dhe as e vënë në vështirësi të vazhdueshme dhe as krijojnë tensione të panevojshme. Ata e dinë kur ekipi ka mundësi për një objektiv madhor dhe kur jo. Ata e kuptojnë kur ekipi jep gjithçka në fushë dhe kur jo. Mua më pëlqente shumë kjo gjë. Prandaj, ata edhe duartrokasin rivalin kur e kuptojnë se skuadra e tyre ka dhënë gjithçka, por është mundur nga një kundërshtar më i fortë. Me sa kam parë, vetëm në Shkodër ndodh kjo.
Po sot si ju duken Vllaznia dhe Tirana?
Më pëlqejnë. Unë i kam ndjekur pothuajse sistematikisht.
Cili është avantazhi i Vllaznisë në këtë moment?
Që disa lojtarë si Lika, Shtubina, Malota apo ndonjë tjetër, po mundohen të rikthehen në formën e dikurshme. Janë protagonistë, kanë personalitetin e duhur dhe po arrijnë të mbajnë presionin. Është shumë e rëndësishme të kesh disa lojtarë të tillë në ekip kur përfaqëson një emër të madh si Vllaznia.
Po Tirana çfarë avantazhesh ka?
Së pari ka rezultatet. Ka ecur mirë, me meritë pa dyshim, dhe kjo i ka dhënë qetësi. Ka fituar vetëbesim dhe mbi të gjitha ka edhe cilësi në skuadër. Në fazën sulmuese po bën diferencën. Në një kampionat të fokusuar kaq shumë në lojën mbrojtëse, nuk është e lehtë të jesh produktiv në sulm. Shikoni kush e kryeson kampionatin: Kukësi dhe Tirana, me sulmin më të mirë.
Vllaznia këtë sezon i ka problem serioz ndeshjet me drita?
Jo vetëm këtë sezon… Edhe kur i drejtoja unë, ata e kishin këtë “merak”. Por më besoni, nuk është fare problem. Nuk duhet të fokusohen te të tilla gjëra, sepse kjo do t’i dëmtonte.
Po pse i ka humbur të tria ndeshjet e mëdha këtë sezon, të cilat i ka luajtur në mbrëmje?
Sepse mendoj se krijohet një atmosferë pak më ekzaltuese se e zakonshmja dhe kjo e karikon apo e shton pak dozën e euforisë gjatë ndeshjes, gjë që është normale të ndodhë, por me kalimin e kohës edhe rregullohet.
Nëse sot do të ishit trajner i Vllaznisë, çfarë do t’i thoshit skuadrës që ta mundte Tiranën?
Kjo është pak provokuese… (qesh). Së pari do t’u thosha të mos rrëmbehen nga euforia. Tirana është skuadër me potencial dhe këshilla e parë për Vllazninë është që të ruajë balancat deri në fund. Në ndeshje si kjo duhet të jesh i përqendruar deri në sekondat e fundit. Duhet të luftojë me zgjuarsi për çdo top dhe të mos kalojë në aventurë, kur rivali mendon se është vështirësi.
Po nëse do të ishit trajner i Tiranës, çfarë do t’u thoshit lojtarëve për ta mundur Vllazninë?
Edhe Tirana nuk duhet të kalojë në eufori. Shtatë fitoret e fundit janë për t’u vlerësuar, por të luash në Shkodër, kërkon gjithnjë impenjim dhe përqendrim. Lojtarëve të Tiranës do t’u thosha edhe të mos demoralizohen nëse hasin surpriza të hidhura gjatë ndeshjes. Vllaznia është një skuadër që mund të shënojë dhe të kalojë në avantazh, sepse ka cilësi. Por Tirana duhet të ruajë qetësinë dhe ekuilibrat deri në fund. Po flasim për një ekip pretendent për titull dhe tani është periudha kur kërkohet pjekuri dhe pragmatizëm.
Kush e fiton ndeshjen?
Nuk jam tip që bëj parashikime, por shoh më të avantazhuar Tiranën. Ndoshta 60 me 40 për qind… Kjo, për faktin se Tirana ka disa elementë cilësorë që mund të bëjnë diferencën edhe të vetëm në momente të caktuara.