Pasditen e djeshme në Tiranë është organizuar Eventi i Kupës së Flamurit nga Federata Shqiptare e Volejbollit, me rastin e 105-vjetorit të Pavarësisë, nxori fituese dy ekipet kombëtare shqiptare të volejbollit (meshkuj e femra), që mundën ekipet kosovare (3-0 femrat dhe 3-1 meshkujt), në një aktivitet që u kthye në një festë sportive. Ky aktivitet u zhvillua në sallën sportive “Feti Borova” në kryeqytet, ku nuk munguan të pranishmit, që ndoqën nga afër skuadrat dhe mbështetën ato.

Përveç ballafaqimeve në mes ekipeve kombëtare të Shqipërisë dhe Kosovës, në mes të dy ndeshjeve miqësore, FSHV organizoi edhe një ceremoni, duke shpërndarë titullin “Mirënjohje” për mjaft ikona të volejbollit shqiptar ndër vite. Njëri nga të nderuarit është edhe ish- volejbollisti dhe ish- trajneri i njohur i volejbollit të femrave të Vllaznisë, Vehbi Sulejmani. Një figurë mjaft e dashur dhe mjaft popullore nga duart e të cilit kanë dalë me dhjetëra sportiste të talentuara. Natyrisht që një vlerësim i tillë i shkon për shtat këtij personaliteti të volejbollit shkodran dhe atij shqiptare dhe prandaj duhet të jemi të kënaqur që të tilla figura vazhdojnë të vlerësohen.

www.shkodrasport.com