Është i vetmi lezhjan në formacionin bazë të Besëlidhjes, por kjo skuadër funksionon si një e tërë dhe një fenomen i tillë, i “dyndjes” së “jabanxhinjëve”, nuk ndihet fare. Dhe këtë e thotë me shumë forcë, bindje dhe argument Mirsad Gruda, një nga pikat më të forta të kësaj skuadre, prandaj duhet besuar më shumë se askënd tjetër për këtë fakt. Jo vetëm ky pohim i këtij futbollisti me eksperiencë, por këtë skuadra e Besëlidhjes e ka treguar më së miri deri tani, edhe me rezultate, e cila jo rastësisht ndodhet në vendin e parë të kampionatit të Kategorisë së Parë.
“Të gjithë jemi një. Jemi të bashkuar dhe të konsoliduar si një trup i tërë. Harmonia në skuadër, është gjëja më pozitive tek Besëlidhja, e cila domosdoshmërisht ka patur edhe efektin e vet pozitiv në arritjen e këtyre rezultateve, të deritanishme, ku jemi në vendin e parë. Por kjo është edhe meritë e presidentit Gjokë Noka, së bashku me stafin e tij, por edhe i stafit teknik me në krye Ridvan Kullin, që kanë ditur të ndërtojnë një grup të tillë, kaq efikas dhe të shëndoshë për ecurinë pozitive të Besëlidhjes, në këtë sezon”, ka pohuar për gazetën “Metropol Sport”, ditën e djeshme, Gruda. Ai luan në krahun e majtë të mesfushës, por sa herë skuadra ka patur nevojë për të, Gruda është aktivizuar edhe në të majtë të mbrojtjes. Megjithatë lezhjanët kanë funksionuar mirë deri tani, dhe vazhdojnë përgatitjet për ndeshjen e radhës, në transfertë, ndaj Burrelit. Sigurisht që nuk do të jetë një takim i lehtë për t’u kaluar dhe këtë Besëlidhja e di shumë mirë, pasi edhe vendasve u duhen pikët. Por gjithsesi lezhjanët bëjnë llogaritë e tyre, ku besojnë se do të kthehen nga Burreli vetëm me fitore. “Dihet tashmë se Besëlidhja synon ngjitjen në Superligë, këtë sezon, prandaj do të kërkojmë të arrijmë sa më shumë fitore brenda dhe jashtë fushës tonë, për të vazhduar të mbajmë vendin e parë. Kështu që ne jemi përgatit vetëm për tre pikët në Burrel, me gjithë respektin, që kemi për kundërshtarin”, ka deklaruar mesfushori i Besëlidhjes, Mirsad Gruda, ditën e djeshme. Lezhjanët vazhdojnë normalisht procesin stërvitor, ku dje, kanë zhvilluar edhe një ndeshje kontrolli të lehtë, brenda grupit, e cila nuk ka zgjatur më shumë se një orë. Deri tani kontigjenti i lojtarëve të kësaj skuadre është i plotë për në fundjavë.