Ish-trajneri i Vllaznisë, Mirsad Jonuz, është një nga ato trajnerë, që pavarësisht se është larguar prej disa kohësh nga Vllaznia, nuk i ka shkëputur asnjëherë marrëdhëniet e tij me klubin kuqeblu. Madje ai është një ndjekës i rregullt i ndeshjeve të shkodranëve. Jonuz aktualisht është trajner i Skopjes në Maqedoninë e Veriut dhe po lufton për mbijetesë.
Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, ai ka folur për situatën te Vllaznia, largimin e teknikut Josa dhe kalimin e skuadrës në duart e Milotit. Ai e konsideron ndërrimin e trajnerit një lëvizje jo në momentin e duhur, por nga ana tjetër e shprehet se ishte një “rokadë” tejet logjike. Ish-tekniku i Vllaznisë nuk e ka fshehur asnjëherë dëshirën për t’u rikthyer sërish në stolin kuqeblu.
A ka një shpjegim, sipas jush, situata që po kalon Vllaznia?
Ndryshimi i formës së lojtarëve të Vllaznisë është pasqyrim i rezultateve të tilla. Për mua arsyeja më e madhe është ndërprerja e sezonit për shkak të kampionatit botëror në Katar. Ajo ka ndikuar te gjendja e tyre. Loja e ekipit dhe paraqitja e disa lojtarëve ka treguar shumë luhatje.
Si e shihni largimin e Josës?
Ndryshimi i trajnerit është i vështirë, pasi është “thikë me dy presa”. Nëse duhej ta ndryshonin atë, duhet ta kishin bërë më herët.
A ishte në momentin e duhur?
Nuk e shikoj në momentin e duhur. Megjithatë drejtuesit kanë bërë një lëvizje logjike, e cila është emërimi si trajner i parë i Milotit.