Mjeku sportiv i KF Vllaznia, Zyhdi Çoba, ishte i ftuar në studion e “Star Sport”, aty ku diskutoi në lidhjen me ndarjen nga jeta të futbollistit të Egnatias, Raphael Dwamena. Doktori i ekipit kuqeblu tha se po të ishte në dorën e tij, nuk do ta merrte përsipër një rast të tillë për asnjë arsye.
“Një rast të tillë si Dwamena nuk do ta merrja përsipër asnjëherë për asnjë arsye në botë. Pse e them këtë? Unë e them duke marrë parasysh gjendjen në të cilën ai ndodhej, ku kishte pasur edhe probleme të tjera me zemrën dhe kishte hequr edhe defribilatorin.
Në momentin që, këto probleme i janë diagnostikuar Dwamenes, ai duhet të mos luante më futboll me gjendjen e tij që kishte, por pasioni i tij i madh që kishte për këtë sport, solli pastaj këtë ngjarje tragjike. Dua të sqaroj edhe diçka, sepse po abuzohet shumë.
E them me bindje të plotë se FSHF nuk pranon asnjë dokument sportisti pa patur kartelat mjekësore të detajuara. Këtë e them me bindje të plotë se me këtë punë merrem prej vitesh. Unë në zyrën time kam çdo kartelë mjekësore të çdo sportisti që nga dita që e kam nisur këtë zanat dhe i mbaj edhe sot.
Ndoshta, brezi jonë është edhe më strikt, por duhet të jemi në gatishmëri për këto situata, pasi nuk mund të bëhen lojëra më të tilla gjëra”,-tha në studion e “Star Sport” mjeku sportiv i KF Vllaznia, Zyhdi Çoba./SHKODRA-SPORT.COM/