NGA BESNIK DIZDARI
* TË MOS HARROJMË: Për herë të parë tregimi i një historie 15-vjeçare të jashtëzakonshme të volejbollit shqiptar të periudhës ’60-’70.
KAPITULLI I
Sigurisht nuk është vetëm ai, por ai është i barabartë me më të mëdhenjtë e tjerë e disave ua kalon. Në volejbollin shqiptar të asokohe, prej volejbollistëve jobanorë të Tiranës, në njëfarë mënyre Ali Bushati është i vetëm. I parival. Në gjithë gjeopolitikën e volejbollit shqiptar të viteve ’60 e paksa edhe ato të viteve ’70, sundues ka qenë kryeqyteti, pra Tirana.
Qytetet e tjera ishin tejet larg. Me përjashtim të volejbollit të Ali Bushatit e shokëve të tij nga Shkodra, të cilët midis ulje-ngritjeve të tyre, brenda pak viteve iu afruan aq fort kryeqytetit dinamas apo partizanas, sa e bënë të mundohej fort e të mos e lëshonte përsosjen modernizuese të tij.
Ali Bushati (1942-2021) ishte i madh, saqë kryeqyteti nuk bënte pa të. Ai ishte nga Shkodra, por nëse Partizani asokohe i Ushtrisë Popullore do ta kishte për bukur nja dy vjet të mira pronë të tij, Dinamo e ndritshme europiane do ta thërriste me nxitim që të vishte fanellën e saj. Kombëtarja dihet, e kishte po aty.
Kjo histori do të vijojë në disa numra të kësaj gazete, siç kemi vepruar me “Dossier”- ët e Panajot Panos e Sabah Bizit. Do të vazhdojë kësisoj, se ky “Dossier” përmes figurës së madhe të Ali Bushatit përbën një histori 15-vjeçare të volejbollit shqiptar, vite kur ky sport – që sa pak që përmendet sot – u europianizua e u modernizua tejet.
Duke mbërritur kësisoj te ky tregim i herës së parë, më shumë epik sesa lirik apo romantik, pra realist, pohoj se nuk është merita ime, por e Ali Bushatit, i cili me lamtumirën e tij aq të dhimbshme, na nxit të shpalosim “romanin” e jetës së tij dhe të shokëve të tij prej protagonistësh të pakrahasueshëm, të cilët themeluan volejbollin modern në Shqipëri. Dhe këtë e bënë përmes ngjarjeve të pamata të volejbollit shqiptar, që kurrsesi nuk u shteruan siç duhet.
Ose që ranë ndër duart e amatorëve pompozë, edhe pse të paditur. E gjitha kjo çka do të tregojmë këtu, se cili është Ali Bushati e shokët e tij, ka synimin “dytësor” që në të vërtetë është parësor, për të përmbledhë pjesë të historisë më befasuese dhe më të ndritshme të volejbollit shqiptar të kryesuar prej Dinamos së Vangjel Kojës madhështor.
Në të vërtetë, kjo histori meriton mirëfilli një libër më vete – përveç të tjerave, edhe për të nxjerrë nga thellësitë e historisë jo thjesht sukseset europiane të volejbollit shqiptar, por për t’i vënë sadopak në vend ato që kurrsesi nuk u vunë për së mbari. Ngjarjet janë vërtet të mëdha, sfiduese europiane – vepër e një Shqipërie të vogël, në vite tejet të vështira të jetës së saj, në vite vuajtjeje, varfërie, izolimi të papamë.
E megjithatë, janë vite kur një grup sportistësh të shkëlqyeshëm morën përsipër të shfaqeshin plot forcë deri në Europë. Sot, kur volejbollit shqiptar prej bukur do kohe nuk i dëgjohet zëri në përmasa asisoj, kjo histori sportive e bujshme partizanase, por më tepër dinamase, që vetvetiu po më pëlqen ta quaj paksa edhe “bushatjane”, në të vërtetë të duket sikur del nga thellësitë e tokës dhe të thërret fort: “Mos harroni, kthejuni asaj lavdie!”
1.NJË EMËR I RI QË NIS ME NDESHJE NDËRKOMBËTARE
Me Ali Bushatin kam shumë lidhje e marrëdhënie. Më lidh afërsia e madhe fisnore nga nëna. Më lidhin vitet e përbashkëta të adoleshencës dhe të rinisë, më lidh mbi gjithçka, koha. Ajo kohë tronditëse, që ndërsa unë e shumë shokë të mi, nuk ishim askund protagonistë të një dukurie të rëndësishme, djaloshi Ali Bushati thuajse rrufeshëm, po bëhej protagonisti me të cilin ne do të krenoheshim.
Shtatlartë e shtatdrejtë, trup atleti po aq sa dhe volejbollisti, aspak i ndryshuar deri në ditët e fundit të jetës së tij, stoik për të rimëkëmbë shëndetin që një sëmundje kërkonte t’ia mposhtte, por që pavarësisht nga muajt e fundit, për vite ajo nuk ia kishte arritur, Ali Bushati ruajti portretin e pacenuar të një kolosi sportiv gjithnjë rinor. Fatet dramatike të një çasti, qoftë ky dhe i pamëshirshëm, kurrsesi nuk e rrëzojnë këtë përcaktim.
Ishte sportist qysh fëmijë, ndonëse asokohe nuk kishte shkollë sportive për fëmijë. Madje, ishte sportist universal, i shumanshëm pra, dhe i cili nuk do të vononte për të mbërritur te specializimi i një volejbollisti të nivelit të lartë ndërkombëtar. Atlet, futbollist, basketbollist, volejbollist! Ec e përcaktoje se në çka do të ndriste më parë.
Ndodhi që nën drejtimin e mësuesit të shquar të edukimit fizik, Feti Dizdari, ai bëhet polisportisti numër 1 i shkollës së Perashit në Shkodër. Dhe papritmas në një spartakiadë pionierësh në Durrës është basketbollist i grupit të Shkodrës – çka për çastin të duket se basketbolli do të jetë sporti i jetës së tij.
Megjithatë, universalizmi sportiv i tij ende nuk po ndryshonte rrugë, sepse kur është nxënës i Teknikumit të Fizkulturës “Vojo Kushi” në Tiranë, ai bën pjesë në të gjitha “skuadrat” e kësaj shkolle: atletikë, volejboll, basketboll e deri dhe në futboll. E këtu gjen themelet e qëndrueshme sportive të tij.
Ky është statusi i tij i fuqishëm sportiv, por po aq dhe pedagogjik. Kur kthehet në Shkodër, nuk di se ku të shkojë më parë. Te futbolli, tek atletika, te shtiza e atletikës, te basketbolli apo te volejbolli? Vështroni për një çast! Mund të arrijë mbi 1.70 metra në kërcimin së larti, që për asokohe mund të të çonte deri te kampionati kombëtar dhe e flak shtizën deri te afër 50 metrave, këtu jo në hudhjet amatore, por në kampionatin kombëtar të atletikës së lehtë. Megjithatë, për çastin, duket se basketbolli është më afër tij.
E rrëmben trajneri i paharrueshëm Esat Haxhi. Mirëpo, një trajner i volejbollit, Dan Doçi, ka nuhatjen për të kuptuar se sporti i jetës së tij do të jetë jo basketbolli, por volejbolli. Ai e bind trajnerin Esat Haxhi të Vllaznisë së basketbollit që t’ia “falë” atij Ali Bushatin. Dhe thuajse rrufeshëm Ali Bushati është titullar i Vllaznisë së volejbollit. Kjo ka qenë zgjidhja vendimtare e jetës së tij dhe fati i madh i volejbollit shqiptar.
Këtu, si të thuash, përmbyllet universalja sportive e Ali Bushatit, ndonëse më se një herë, ashtu si rasti shembullor i dy volejbollistëve të tjerë të dy kohëve, të famshmit Petrit Murzaku e Kreshnik Tartari, ashtu si këta “kolegë” pra, edhe ai më se një herë shkon te shtiza e kampionatit kombëtar të atletikës së lehtë.
Në të vërtetë, ai mbërrin tek universalja tjetër, që është universalizmi i sportit të volejbollit për t’u bërë ai që u bë: Bushati i madh i volejbollit shqiptar, duke mbërritur madje, siç ka shkruar kolegu Namik Mehmeti, te shpërthimi i arenës së pallatit të sportit “Partizani” ku thirrjet “Rusi! Rusi!” pasoheshin nga thirrjet “Bushati! Bushati!” Por, jemi ende paksa larg nga kjo kohë… Jemi më 1963. Vit kur 20-vjeçari Ali Bushati ende pa e veshur uniformën e ushtarit të popullit, “rrëmbehet” prej Partizanit. Kjo do të jetë periudha e parë e rrallë e tij, madje e jashtëzakonshme.
Duhet thënë se ai vinte prej një lloj shpërthimi të tij të një volejbolli rinor, brenda qytetit të Shkodrës e të Vllaznisë, e cila sapo kishte dalë në fushën e lojës me një grup të tanë talentesh, të kryesuar nga Mark Grimci i Kombëtares së një përvoje thuajse të plotë, por edhe te Sadik Efovia, Xhelal Haxhi, Viktor Jubani, Ndok Pistulli e më mbas te Tonin Fistani e të tjerë. Megjithatë, nuk mund të themi se në Tiranë njihej i riu Ali Bushati e talenti i tij.
Do ta bëjë të njohur një Partizan, ndërkohë që një Dinamo “e panjohur” sapo dukej në horizont. Partizani ende ishte skuadra numër 1 e Shqipërisë. Ishim në vitet kur Shqipëria po prishej me Bashkimin Sovjetik, i cili kishte luajtur një rol të madh në modernizimin e volejbollit të Shqipërisë së vogël. Vetëm një vit më, parë, më 1962, në kulmin e tensioneve Shqipëri – BRSS, Kombëtarja e Shqipërisë kishte marrë pjesë në kampionatin botëror të volejbollit, zhvilluar në vendin e ashtuquajtur të sovjetëve, duke qenë midis 21 shteteve më të fortë të botës.
Në të vërtetë, ajo është një Kombëtare e cila kishte ruajtur gati thuajse të gjithë përbërjen e saj të dy Kampionateve Europiane 1955 dhe 1958, ku kishte bërë një paraqitje më se dinjitoze. Në këtë pjesëmarrje të saj të parë botërore nën drejtimin e trajnerit Enver Maçi ishin Petrit Murzaku, Fatmir Meka, Masar Aga, Pëllumb Pelivani, Napoleon Llalla, Jorgji (Xhorxh) Kona, Lluka Prifti, Franc Jakova, Ylli Shehu. Por edhe me dy a tre të një brezi më të ri si Fatmir Sharofi, Ali Lullolli e Mark Grimci. Shqipëria arrin të renditet në vendin e 16-të në botë, duke lënë mbrapa Mongolinë, Finlandën, Austrinë, Belgjikën dhe Tunizinë, ndaj të cilave, për fat, nuk jam i sigurt nëse mund të fitojmë sot.
Kësaj pjesëmarrjeje të një Kombëtareje disi “të vjetër” në moshë, ne nuk ia kemi përimtuar kurrnjiherë deri më sot paraqitjen e saj të vendit të 16-të në botë, që nuk mund ta arrijmë më assesi. Është përtej historisë! Shqipëria i ka luajtur ndeshjet në Kiev dhe humbet me Japoninë 0-3, me Poloninë 1-3, me RD Gjermane 0-3, me Holandën 0-3, me Italinë1-3, por fiton 3-0 me Mongolinë, 3-1 me Finlandën, 3-0 me Austrinë, teksa le mbrapa edhe Belgjikën e Tunizinë.
Kësisoj, dukej se kishin mbetur ende themelet e volejbollit dinjitoz shqiptar të viteve ’50, të sendërtuar simbas modelit të Bashkimit Sovjetik, i cili në këtë kampionat 1962 shpallej për herë të dytë kampion i botës (E, këtu na duhet të shënojmë se skuadra më parë se në Moskë zhvilloi një turne në Kinë, duke qëndruar disi gjatë atje e duke luajtur disa ndeshje me skuadrat më të forta të Kinës, natyrisht të humbura, kur dihej se sa lart qëndronte volejbolli kinez).
Për Shqipërinë e volejbollit, tash zotësia duhet të ishte që këto themele “të vjetra” të zëvendësoheshin me të rinj. E këtë ajo do ta bënte në mënyrë të përsosur. Fuqinë do ta merrte brezi i ri i Ali Bushatit me shokë…
2.VITI 1963 I SHPËRTHIMIT TË 20- VJEÇARIT ALI BUSHATI
Dhe mbërrin viti 1963. Tashmâ prishja me Bashkimin Sovjetik dhe kalimi “në duart” e Kinës Popullore po merrte fund. Qëndresa e komunistëve shqiptarë të Enver Hoxhës befasisht do të duhej të shfaqej në mënyrën e vet më të çuditshme edhe përmes sportit. Madje, duke filluar pikërisht përmes sportit të volejbollit. Gjithçka do të nisë me një turne të politikës që emërtohet “Kampionati i volejbollit të Ushtrive mike të vendeve socialiste”! Nuk mund të ketë sot e kësaj dite një kampionat sportiv më të politizuar dhe më të njëanshëm sesa ky.
Organizimin e garës e merr përsipër Tirana e Shqipërisë në brigjet e Adriatikut, siç cilësohej prej “miqve” , të cilët lakmonin mû këtë Adriatik. Në Shqipëri vijnë skuadrat ushtarake PA-I e Kinës, I’P’HAL e RDP të Koresë dhe për çudi të madhe edhe Steaua e Rumanisë. Me ta është edhe Partizani i Ushtrisë Popullore të Shqipërisë. Skuadra kineze mbërrin më shpejt në Shqipëri dhe para turneut ajo zhvillon dy ndeshje miqësie me Partizanin të cilat i fiton të dyja 3-1.
Ndërkaq, më 22 qershor 1963, sporti shqiptar ka një befasi të rrallë: mbas bukur 16 vjetëve për volejbollin hap dyert stadiumi kombëtar “Qemal Stafa”. Më 1947 aty mbrapa portës lindore të futbollit ishin zhvilluar kampionatet ballkanike të volejbollit e të basketbollit, madje për femra e për meshkuj, një histori krejt e harruar, që duhet ta shkruajmë.
Por, le të qëndrojmë paksa te ky 22 qershor. Nuk mund të besohet se çka qe. Janë Murzaku, Meka, Prifti, Pelivani, Lullolli, Sharofi. Kjo është gjashtëshja e parë në ndihmë të së cilës janë edhe J.Kona, Bushati, Kthupi, Grimci, por humbja është e pamënjanueshme. Duhet të ketë qenë ndeshja që sot e kësaj dite fikson numrin më të lartë të spektatorëve për volejbollin e basketbollin në Shqipëri. Janë mbi nja 5000 shikues. Dhe 3-1 për Pekinin. Në shënjestrën për lojë të mirë janë “veteranët” Murzaku e Meka. Dy ditë më vonë, 25 qershor, është miqësorja e dytë dhe përsëri 3-1 për kinezët. Kësaj radhe jo në “Qemal Stafa”, por në stadiumin e lojërave me dorë “Studenti”.
Duke u ndalë te protagonisti ynë Ali Bushati, në të vërtetë asgjë nuk është episodike. Volejbolli i tij është befasues. I vë vulën reportazhi i ndeshjes prej të cilit shkëpusim këto radhë të autorit Mirush Strazimiri: “… Rifuten shuterët Kthupi, Kona, Bushati. Këta dy të fundit sjellin një frymë të re, bëjnë lojë pa shumë pretendime, por mjaft të dobishme, ngrenë gjithë skuadrën dhe loja merr zjarr”.
Dhe më poshtë: “Më të ekujlibruar ishin Pelivani e sidomos Bushati”. Këto janë ndeshjet e para ndërkombëtare të Ali Bushatit dhe paraqitja e tij është krejt befasuese. E, shkrimi në fjalë, për çudi, do ta bashkojë me “veteranin” 30-vjeçar, siç ishte i shkëlqyeshmi volejbollist e basketbollist i dy Kombëtareve të Shqipërisë, mjeshtri Jorgji Kona, por dhe me kombëtarasin tjetër të shquar, Pëllumb Pelivani.
20-vjeçari Ali Bushati po u hynte në mes veteranëve me volejbollin e tij rinor, duke u bërë thuajse i pazëvendësueshëm. Dhe mbërrijmë te turneu i politikës, pra (4-13 korrik 1963), ai që emërtohet “Kampionati i volejbollit të Ushtrive mike të vendeve socialiste” ku ndodh ajo që nuk pritej. Partizani i humb të gjitha ndeshjet, dy herë 3-0 me kinezët e PA-I, dy herë 1-3 e 1-3 me koreano-veriorët e I P’AHL, 0-3 me rumunët e Steaua. Kinezët fitojnë turneun dhe Partizani është i fundit me 0 pikë.
Shkaqet e humbjeve të Partizanit sikur kërkohen të gjenden te mosha e liderëve Murzaku, Meka, J.Kona e deri te Pelivani e Prifti – volejbollistë të shkëlqyeshëm, megjithatë. Në të vërtetë, midis tyre rinia ishte aty: Fatmir Sharofi, Ali Llullolli, Ali Bushati, Met Kthupi, Mark Grimci, 20-23-vjeçarë, por pa guxuar t’i përfshinin gjerësisht në ndeshjet. Prej të cilëve, një pak më i rritur se Bushati, Fatmir Sharofi, cilësohet si më i miri i Partizanit.
Gazeta “Sporti popullor” ka një kritikë të ashpër, që rëndon jo pak mbi trajnerin Andon Kona, i cili ka një moshë me “veteranët” e sipërpërmendur, por i cili si trajner është debutues në këtë detyrë me gjithë talentin e tij, çka do ta tregonte shumë shpejt. Ndërkohë, për 20–vjeçarin Ali Bushati papritmas mbërrin një superlativë që për të hyn plot ndriçim në ashpërsinë e analizës redaksionale kritike që i bëhet paraqitjes së padëshiruar të Partizanit.
Shkruan “Sporti popullor”: “… Nuk e kuptojmë aktivizimin e pamjaftueshëm të Bushatit, i cili gjithnjë kur u fut në formacion luftoi me vrull rinor, pa u impresionuar dhe në një mënyrë të dobishme”. Pak fjalë, po sa me kuptim në përcaktimin për personalitetin e saposhfaqur të një riu që me vite do të merrte përmasa të jashtëzakonshme. E pra, çka ishte ky djalë “i panjohur” për kryeqytetin, i cili vinte nga Shkodra dhe po zinte vend kryesor në volejbollin kryeqytetas ku ishin skuadrat më të mira të vendit dhe të gjithë lojtarët kombëtaras?
A mos po ndodhte kthesa e fortë deri dhe e gjeopolitikës së volejbollit shqiptar me në krye Lokomotivën e Durrësit – kampione më 1963? Do të mbeste një brilant i pashuar ky titull për skuadrën e qytetit tejet sportiv, siç ishte Durrësi, madje një sfidë sensacionale për kohën. Edhe ngaqë titulli tjetër do t’i mbërrinte vonë, shumë vonë, vetëm mbas 38 vjetëve. Do të jetë viti 2001, kur Durrësi, tash me skuadrën e tij nën emrin e vjetër Teuta, shpallet për përsëri kampione e Shqipërisë.
Kishte mbetur si një meteor kjo kampione e Durrësit e vitit 1963. Llalla, Ll.Prifti, Kthupi, D.Prifti, Gorea, Golashi, Llazo… Kishte mbetur si një kampionat vërtet i rrallë. Vështro renditjen e katër të parëve: Lokomotiva 12 pikë, 17 Nëntori 11, Partizani 11, Dinamo 10… Ky titull ishte sfida e madhe, ndonëse e fundit, e trajnerit–lojtar Napoleon Llalla – protagonist i pakrahasueshëm për Shqipërinë në Kampionatin Europian të vitit 1958 e po aq i Kombëtares edhe në basketboll. Megjithatë, suksesi i madh i skuadrës durrsake nis e bie, si të thuash, për t’u mbyllur kështu roli i saj aq tërheqës, befasues, rivalizues i skuadrave jokryeqytetase… Për çudi, në njëfarë mënyre, do të mbetet vetëm një jokryeqytetas në ngjitje.
Është Ali Bushati i cili, i vetëm, udhëtonte nga Shkodra në Tiranë për te fanella e Kombëtares, e qytetit të Tiranës apo e Partizanit. Zgjidh pra, kë të duash prej këtyre tri “shoqërive” volejbollistike të tij, të kësaj stine të paharrueshme volejbolli 1963-1964. E mandej, tek e vona, ai do të udhëtonte po kështu edhe për te një klub tjetër kryeqytetas – më i lavdishmi i të gjithëve, që do të ishte Dinamoja e Tiranës.
Do të mbërrijmë në kapitujt e tjerë te kjo histori, që sa shqiptare, më fort do të ishte europiane. Dhe fati i pashlyeshëm i atyre ngjarjeve të mëpasme të viteve ’60 nuk do të mund të përcaktohej assesi pa Ali Bushatin. Po e priste me padurim Partizani… Çka do ta tregojmë në kapitullin mbasardhës…
* Artikull eshte botuar ne “Panorama Sport