Pak ditë më parë u kurorëzua kampion i Shqipërisë me ekipin e basketbollit të të rejave të Vllaznisë por ky duket se ka qenë titulli i fundit dhe për më tepër viti i fundit që stërvit këtë ekip.
Bëhet fjalë për legjendën e basketbollit shkodran dhe atij shqiptar Renato Radoja.
Ndonëse është 78 vjeç, ai ka punuar me shumë dëshirë e pasion, bashkë me kolegen e tij Xhuli Shestani dhe i kanë dhuruar Sportklub Vllaznisë një tjetër trofe.
Megjithatë me shumë të ngjarë, karriera e tij nuk do të vazhdojë më. Këtë e ka bërë të ditur për “Shkodra Sport” vetë mjeshtri Radoja.
Një vendim që duket se është kundër dëshirës së tij megjithatë ky është realiteti.
“Me shumë mundësi ky ishte titulli im i fundit se mund të largohem nga drejtimi i këtij ekipi dhe nga krejt trajnimi.
Kam 65 vjet që merrem me sport, i dua këto vajza shumë, shkoj me dëshirë në stërvitje dhe të largohem nga ata, kam për ta pasë të vështirë por kushtet që kanë ardhë këtu, ma kushtëzojnë këtë gjë.
Klubi Vllaznia të gjithë trajnerët pensionistë mendon t’i largojë.
Nuk i jep pagesën e trajnerit dhe e vetmja mundësi që na është dhënë është të punojmë me fëmijët nëse duam, nëse nuk doni jeni të lirë të largoheni.
Kjo punë do marrë rrugë tani, po shkon drejt fundit”- ka thene ai.
www.shkodrasport.com