Një “zhurmë” të madhe ka bërë në javët e fundit ndeshja mes Apolonisë dhe Vllaznisë në kampionatin e futbollit për femra. Jo vetëm rezultati 1-1, ku vajzat kuqeblu u ndalën si rradhë herë, por edhe arbitrimi jo korrekt në atë sfidë nxiti shumë polemika. Së fundmi për këtë temë ka folur edhe ish-atleti i njohur shkodran dhe tashmë fizioterapist i ekipit të vajzave, Arben Mlloja.

Mlloja u shpreh duke thënë:”Në Fier atë ditë ishin skena të shëmtuara. Kjo jo vetëm që po luhej ashpër ndaj Vllaznisë, por po goditej në njëfarë mënyre edhe kombëtarja. Sepse ne e dimë që 7-8 vajza të Vllaznisë janë pjesë e kombëtares.

Apolonia vijon prej disa vitesh së bashku me presidentin e saj që të bëjë skena të tilla. Madje sezonin e shkuar nuk u paraqitën as në finalen e kupës. Duke mos respektuar as kompeticionin e as garën. Duhej të kishin marrë një dënim shembullor.

Vllaznia për femra me në krye presidentin Matija dhe stafin teknik ka bërë një punë serioze dhe të shkëlqyer prej vitesh. Nuk mund të hidhet poshtë kjo punë nga faktorë që s’kanë lidhje me futbollin apo sportin.

Mund të them se arbitrimi ishte totalisht i njëanshëm. Kur ne prisnim një arbitrim sa më korrekt duke qenë se edhe gjyqtari Beqiraj është pjesë e Superligës.”
Endri ÇINARI