8Luciano Moggi, ish-drejtuesi historik i Juventusit, ka ndarë mendimet e tij për situatën aktuale të skuadrës së drejtuar nga Thiago Motta, në një intervistë për “Adnkronos”. Pavarësisht se “Zonja e Vjetër” qëndron në pozita të larta në renditjen e Serie A, është përballur me sfida të mëdha për shkak të dëmtimeve të shumta.

Në ndeshjen e fundit të kampionatit, Juventusi barazoi 1-1 ndaj Lecce, me një gol dramatik për vendasit, të realizuar nga Ante Rebić në minutat shtesë.

Ja komentet e Moggi: “Është e vështirë ta gjykosh këtë skuadër për shkak të dëmtimeve të shumta, të cilat nuk i kanë dhënë praktikisht asnjëherë mundësinë Motta-s të hedhë në fushë formacionin që kishte në mendje gjatë verës. Përveç kësaj, Juventusi ka ndryshuar thuajse gjithçka. Për të parë rezultatet e një revolucioni të tillë, nuk mjafton një sezon i plotë, e lëre më 5 muaj”.

Megjithatë, Moggi theksoi se nuk kanë munguar edhe gabimet: “Ka pasur gabime, si ai i Giuntolit në transferimin e Douglas Luiz, apo ai i Motta që ende nuk i ka gjetur një pozicion në fushë Koopmeiners-it. Po ashtu, ndaj Lecce, vendimi për të aktivizuar të rinjtë i dha skuadrës një ndjesi qetësie, që rezultoi e kushtueshme”.

Moggi parashikon një synim më realist për skuadrën bardhezi, këtë sezon: “Unë besoj se vendi i katërt është objektivi i duhur për këtë Juventus, sepse aktualisht ka të paktën tri skuadra që janë më të forta në kampionat”./telesport/