-Besoj se kam mbetur mik në Shkodër. Mendimi im është se aty ku punon duhet të mbetesh mik pavarësisht se mund të ketë edhe ndonjë qejfmbetje. Mua më pëlqen ky qytet, më pëlqen Vllaznia dhe futbolli I saj, më pëlqejnë të rinjtë që ajo nxjerr prandaj dhe vij sa herë që më krijohet mundësia për ta ndjekur.
-Keni ndjekur ndeshjen e saj me Tiranën. Meritoi Vllaznia ta humbte atë ndeshje?
-Vllaznia nuk e meritoi humbjen me Tiranën. Në pjesën e parë ka luajtur shumë mirë. Ka patur edhe tre- katër shanse për të shënuar dhe në fakt nuk prisja që në pjesën e dytë loja e saj të binte. Megjithatë Tirana në pjesën e dytë ka luajtur shumë më mirë. Pas minutës së 65-të lojtarët e Vllaznisë nuk ka vrapuar aq shumë ndoshta ngaqë në ndeshjen e mesjavës së kaluar me Shkumbinin për kupë ata kanë qenë gjithë kohës në sulm për të kërkuar fitoren dhe kanë harxhuar jo pak energji. Tirana ka qenë më e qetë në këtë drejtim, ka luajtur pa shumë presion dhe duke patur Brenda edhe shansin, arriti të fitojë në Shkodër.
-A mund të themi se e meta kryesore e Vllaznisë këtë sezon është mungesa e një sulmuesi cilësor?
-Nëse kërkoni një sulmues që të zgjidhë I vetëm ndeshjen, të jeni të sigurtë se ai do vinte tek Vllaznia por do luante në një kampionat shumë më të fortë. Por ndaj Tiranës problemi nuk ishte se nuk kishte sulmues por se nuk patën edhe fat. Rastet u krijuan dhe nga mënyra si shkoi loja, ajo duhej ta kishte fituar këtë ndeshje.
-Z. Radonjiç tek Vllaznia ka shumë zhurmë e komente për rezultatet e saj edhe për faktin se janë bërë 12 blerje në fillim të sezonit. Ka një dilemë se kush I ka sjellë këta lojtarë. Nga përvoja juaj, kush vendos për merkaton?
-Vendos binomi trajner- drejtor teknik. I pari madje është trajneri që vendos.
-Ka ndodhur kështu edhe kur keni qenë ju trajner I Vllaznisë?
-Në atë periudhë ka patur një specifikë tjetër. Në kohën kur unë po merrja drejtimin e ekipit, ka qenë ideja që të kishte një përzierje të lojtarëve të vjetër me ata të rinjtë dhe prioriteti të ishti lojtarët e rinj në mënyrë që për 2-3 vite të ishim të parët. Por më vonë u shfaq një problem prej lojtarëve me moshë më të madhe që kishin kontrata dhe nuk donin të largoheshin dhe për rrjedhojë u krijua një lloj përplasje në mes lojtarëve të rinj dhe atyre të vjetër. Ata të rinjtë, nëse nuk kanë mbështetjen e atyre me përvojë, të publikut, të mediave, është e logjikshme që një ekip me djem të rinj nuk mund të formohet.
-Vllaznia ka bërë 12 blerje dhe Duro premton menjëherë rezultat që në sezonin e parë. A mund t’ia arrijë?
-Unë them është e pamundur. Të vijnë 12 lojtarë të rinj por ndoshta edhe më pak, 10 apo 8, të bashkohen me ata që gjejnë në skuadër, sigurisht që do kohën e vet për t’u njohur me njëri- tjetrin, dhe kjo nuk mund të arrihet në vetëm 4 muaj apo 5 muaj. Madje as një sezon nuk vlen. Por në kampionatin shqiptar ndërrohen shpesh futbollistët, ndërrohen trajnerët dhe kjo sjell njëfarë rrëmuje që do kohën e vet. Pse është Skënderbeu sërish I pari? Sepse ka tre vjet që lojtarët e tij janë bashkë. Nëse futbollistët nuk qëndrojnë minimumi dy vjet bashkë, nëse ata nuk shkojnë mirë me njëri- tjetrin dhe me stafin, nëse nuk ka harmoni dhe bashkërendim mendimesh në mes presidentit- drejtorit teknik dhe trajnerit, është e vështirë të shkojnë gjërat mirë. Por kur mësoj se thuajse të gjithë futbollistët e ardhur të Vllaznisë janë me kontrata njëvjeçare, atëherë çfarë prisni. Doni sukses që në vitin e parë? Kjo është e pamundur të ndodhë.
-Atëherë zgjidhja është kthimi tek elementi I ri?
-Këtë e dinë më mirë drejtuesit e klubit. Ato hartojnë politikat se çfarë duhet të bëjnë dhe ku do mbështeten.
-Por para dy sezonesh, ishit pikërisht Ju që tentuat ndryshimin e madh teksa deshët të besoni më tepër tek të rinjtë. Ju vjen keq që nuk e vazhduat punën?
-Sigurisht që më pat ardhur shumë keq sepse kisha nisur një projekt shumë ambicioz dhe isha gjithnjë pranë këtyre djemve të rinj. Ka qenë një gjeneratë vërtetë shumë shumë e mirë. S’kishte rëndësi nëse do ishte Radonjiç apo dikush tjetër në krye të Vllaznisë atë periudhë, e rëndësishme ishte që këta futbollistë të rinj të ecnin përpara. Ka qenë diçka e veçantë që një gjeneratë e tillë të kishte aq shumë lojtarë të talentuar sepse nuk ndodh shpesh kështu. Kanë qenë 13-14 lojtarë të rinj të talentuar dhe është e pabesueshme që të përsëritet sërish. Por është dasht me u dhanë kohë këtyre lojtarëve, me punu shumë dhe me ndihmën e lojtarëve më të vjetër, të publikut dhe të medias dhe për dy vjet ata do të kishin formuar një skuadër shumë të mirë.
-Por sot asnjëri nga ai grup lojtarësh thuajse nuk është tek Vllaznia. Ka qenë një politikë e gabuar e drejtuesve të klubit për t’I larguar ato?
-Nuk mund të them unë një gjë të saktë për këtë. Kjo është politika e klubit. Pastaj edhe për trajnerët nuk është e lehtë. Ata nuk e kanë të qartë nëse do rrinë një muaj, dy apo tre në krye të skuadrës dhe prandaj duan rezultate. Megjithatë unë e përsëris se ka qenë një grup lojtarësh shumë të talentuar. Gocaj, Sykaj, Hasani, Vajushi, Djepaxhia, Karakaçi, Boci, Shaba , më vonë erdhi edhe Guri, dhe nëse do ishte besuar tek këta lojtarë, sot do flisnim për një Vllazni pretendente për titullin kampion.
-Keni qenë I pari që keni promovuar Vajushin dy vite më parë. Sot ai është grumbulluar me kombëtaren e Shqipërisë për miqësoren me Kamerunin. Ju vjen mirë për këtë?
-Kam kënaqësi të madhe që po e dëgjoj këtë gjë dhe I uroj suksese Vajushit. Kjo tregon se ai nuk ka luajtur për preferencat e mia por se ka patur të dhënat, ashtu si dhe ata lojtarët e tjerë që unë përmenda.
-Z. Radonjiç, po e ndiqni shumë Vllazninë. Mos po planifikoni një rikthim tek kjo skuadër?
-Trajnerët janë gjithmonë me valixhe në duar.Prandaj dhe nuk e përjashtoj këtë mundësi madje është kënaqësi kur kthehesh edhe njëherë aty ku ke punuar më parë. Por dua të sqaroj se Vllaznia për momentin s’duhet të mendojë për të ndryshuar trajner. Më mirë se e njeh Duro këtë skuadër, se njeh kush tjetër. Dikush tjetër që mund të vinte, mendoj se nuk do ndryshonte shumë gjëra prandaj unë mendoj se trajneri që është duhet të vazhdojë deri në fund të sezonit.
Gjergj KOLA
-“Më mirë 5 blerje të shtrenjta se 12 të dobëta”
Ish-trajneri Radonjiç duke folur për numrin e madh të blerjeve të Vllaznisë dhe faktin që shumë prej tyre mund të mos kenë rezultuar të dobishme, ka dhënë një ide shumë interesante teksa ka thënë: “Unë mendoj se Vllaznia megjithë këtë brum të mirë lojtarësh të rinj që ka, do kishte nevojë për më pak blerje. Tre, katër ose maksimumi pesë të mira dhe të shtrenjta dhe jo 12. Nëse marr si shembull, për blerjen e këtyre 12 lojtarëve tek Vllaznia janë harxhuar 300 mijë euro, më mirë të blihen 5 lojtarë me këtë shumë por ata kuptohet që do jenë shumë cilësorë. Ata do formonin boshtin e skuadrës dhe pjesën tjetër do ta plotësonte me djemtë e rinj dhe do krijohej një ekip shumë më I mirë sesa ky I sotmi, të jeni të bindur për këtë”
-Humbja 0-4 me Dinamon? Diçka ka ndodhur në atë ndeshje
E ka drejtuar Vllazninë në 8 ndeshje pasi më pas u shkarkua nga drejtimi i saj por në mendjen e të gjithëve sigurisht që ka mbetur humbja 0-4 me Dinamon në Shkodër. Për më tepër, 3 gola të pësuar brenda 6 minutash. Duke iu rikthyer edhe njëherë asaj ndeshje, ish-trajneri Mojash Radonjiç do të thoshte: “Ajo humbje edhe sot pas dy vitesh ende më djeg. Unë mendoj se diçka ka ndodhur në atë ndeshje sepse nuk ishte shumë normale që të humbisnim në atë mënyrë. Për më tepër, të pësonim tre gola brenda 6 minutave të para të ndeshjes”. Po çfarë ka ndodhur realisht, ka patur ndonjë tolerim nga futbollistët apo nga drejtuesit? Radonjiç përgjigjet qartë: “Mendoj se diçka ka ndodhur me futbollistët dhe kuptohet kur je 3-0 pas 10 minutash lojë, ka marrë fund, nuk ke se çfarë të ndryshosh më gjë”