Një nga emrat më të mëdhenj në historinë e boksit shkodran dhe atij shqiptar- Viktor Martini, po kalon momente të vështira të jetës së tij. Prej disa ditësh ai është i shtruar në Spitalin Rajonal të Shkodrës dhe sipas familjarëve të tij, gjendja e tij shëndetësore nuk është aspak e mirë.
Sigurisht që të gjitha lutjet shkojnë në këto momente për kampionin tonë i cili ashtu siç ka fituar gjithmonë në ring, shpresojmë t’ia dalë të fitojë edhe këtë herë ndaj sëmundjes së tij, por situata nuk është aspak e mirë.
Viktor Martini më 5 dhjetor mbush 80 vjeç dhe nga të gjithë sportdashësit kujtohet si një prej boksierëve më të mirë të kohës së tij. E ka filluar sportin në vitin 1958 kur ishte vetëm 15 vjeç dhe menjëherë do të vinin sukseset e para teksa do të shpallej fillimisht kampion i Shqipërisë me të rinjtë.
Kalon me të rriturit dhe si pjestar i ekipit të Vllaznisë do të shpallej dy herë rresht kampion, pikërisht në vitet 1961 dhe 1962, por ëndrrat e tij për boksin do të ndërpriteshin një vit më pas sepse u vendos mbyllja e sportit të boksit në vendin tonë.
Me rihapjen e boksit në vitin 1991, do të angazhohej bashkë me Shyqyri Halilin, Zef Gjonin, Ramiz Halilin, Fadil Efovijën, Tonin Demën, Kolec Ashikun, Kujtim Demin etj për ngritjen e ekipit të Vllaznisë dhe me punën e tij si trajner do të spikaste duke nxjerrë me duart e tij shumë boksierë kampionë.
Do të vazhdonte të ishte trajner i Vllaznisë deri në vitin 2004 (me shkëputje të herëpashershme) dhe nga rradhët e tij ka nxjerrë sportistë të cilët Viktori i ka evidentuar gjithmonë dhe mbi të gjithë dy emra kampionësh: Besnik Gjetajn dhe Sead Bushatin.
Ky është profili i këtij njeriu që ka qenë kampion dhe ka nxjerrë kampionë, por që tashmë po kalon momente të vështira, me shpresën se do të fitojë mbi sëmundjen e tij dhe Viktor Martinin do ta kemi sërish mes nesh.
Gjergj KOLA