Laçi është në krizë rezultatesh dhe këtë e tregojnë numrat e ndeshjeve të fundit. Kurbinasit, në shtatë ndeshjet e fundit në Kategorinë Superiore, kanë marrë vetëm tri pikë përmes barazimeve, teksa katër sfida janë mbyllur me humbje.

Kundër Partizanit skuadra e Françesko Morieros shkon për të bërë kthesën e madhe, pasi përndryshe mbijetesa vihet në rrezik të madh, në kushtet kur ndodhen në vendin e tetë me 33 pikë, një më shumë se Tirana, një shkallë më poshtë. Kurbinasit e humbën sfidën e fundit kundër Elbasanit dhe situata, sa i përket aspektit psikologjik, nuk është më e mira e mundshme.

Por kundër ekipeve si Partizani, motivimi buron vetë, teksa është edhe si një hakmarrje për eliminimin dramatik nga Kupa. Sa i përket gjendjes së ekipit, Laçi nuk ka mungesa të rëndësishme dhe trajneri Moriero ka liri të plotë zgjedhjeje.

Ndeshjet e shkuara në kampionat mes Laçit dhe Partizanit kanë shkuar në favor të “Demave” në total. Një sfidë është fituar nga skuadra e Gegës dhe dy të tjerat kanë përfunduar në barazim.